Bumçi nga foltorja e Ministrisë së Jashtme: Rama, bllokoi integrimin. Majko: Deklarime të tilla nuk kanë të bëjnëme politikën e jashtme

Postuar në 21 Prill, 2013 13:21

 

Ministri i Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi, ka akuzuar kreun e opozitës Edi Rama se ka bllokuar procesin e integrimit të vendit në BE. Bumçi ka shfrytëzuar foltoren e ministrisë për të lëshuar akuza publike për kryesocialistin Rama, duke e cilësuar si i vetmi kryetar opozite, që ka bllokuar dhe bërë lloj-lloj akrobacish për të penguar liberalizimin e vizave për shqiptarët.

“Sot, vazhdon të jesh i vetmi kryetar opozite që për hir të interesit të ngushtë personal politik, vazhdon të bllokosh e të mbash peng miratimin e 3 ligjeve për marrjen e statusit të vendit kandidat. Sot, Rama na tregoi qartazi se ai ndihet i kompleksuar. Na sqaroi se ai ndihet i paragjykuar në Kosovë.

Ndoshta z. Rama paragjykohet sot në Kosove prej bojkotit, grevës së urisë, protestave të dhunshme dhe agresionin ndaj institucioneve demokratike. Ndoshta, ai paragjykohet për bllokimin që i bën integrimin Europian të vendit. Ndoshta ai paragjykohet sot, pasi del dhe me deklarata për “miqësi të mirë” me Kosovën, ndërkohë që shqiptarët këndej dhe andej kufirit janë vëllezër, shumë më shumë sesa “miqësia e re” që dashka të na ndërtojë z. Rama. Ne do të realizojmë ëndrrën e shqiptarëve për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, ashtu siç realizuam anëtarësimin në NATO, dhe liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian. Meqë zoti Rama zgjedh të kundërshtojë e anatemojë këto angazhime, le të mos ia vëmë atij veshin, por të ecim së bashku përpara”, deklaroi Bumçi.

Majko: Deklarime të tilla rëndom bëhen nga sallat partiake dhe jo të publikohen në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme

Deklaratat e ministrit Bumçi kanë sjellë reagimin e deputetit socialist Pandeli Majko. Nëpërmjet  rrjetit social Facebook, Majko ka deklaruar se një ministër i jashtëm i një shteti anëtar të NATO-s nuk mund të bëjë deklarime të tilla nga podiumi i zëdhënies së shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare. “Fushata zgjedhore është konkurrim partiak dhe nuk ka të bëjë me politikën e jashtme të një shteti. Deklarime të tilla rëndom bëhen nga sallat partiake dhe jo të publikohen në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme. Ky është një gjest që i kushton seriozitetit të shtetit shqiptar”, shkruan Majko.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.