Bulevardi i ri, 15 kompani në garë për ndërtimin

Postuar në 15 Qershor, 2013 06:33

U hap dje procedura e parakualifikimit të ofertave për ndërtimin e bulevardit të ri.

Plot 15 kompani prestigjioze ndërkombëtare nga Gjermania, Austria, Italia, Kina, Kuvajti, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, por edhe nga Shqipëria, kanë shprehur interes për të ndërtuar bulevardin e ri të Tiranës. Bashkia e Tiranës do të procedojë me vlerësimin e dokumenteve të paraqitura, procedurë e cila do të përfundojë brenda 10 ditëve. Ky institucion ka në dispozicion fondin prej 61 milionë eurosh për zbatimin e projektit të studios arkitekturore “Grimshaë Architects”, për zgjatimin e bulevardit dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Punimet e zbatimit të këtij projekti do të financohen nga marrëveshja e financimit ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe Fondit të Zhvillimit të Abu Dhabit, firmosur më datë 21 prill 2013, me vlerë 54 milionë euro, si dhe grantit nga qeveria e Katarit me vlerë 7 milionë euro. Në fazën e parë të punimeve që nis nga Stacioni i Trenit, përfshihet edhe një parkim i madh nëntokësor. Përgjatë bulevardit është parashikuar kalimi i linjës së tramit, që do të lidhë terminalin multimodal të pasagjerëve me sheshin “Nënë Tereza”. 

Në bulevardin e ri të Tiranës do të ndërtohet Pallati i Drejtësisë, godina e re e Bashkisë dhe institucione të tjera publike, qendra biznesi etj. Korridori i lëvizjes përgjatë bulevardit veri – jug, si dhe unaza veriore e qytetit do të sjellin zgjidhje afatgjatë për zhvillimin e qytetit, në lidhje me transportin, trafikun, infrastrukturën urbane dhe mbetet zgjidhja e vetme për një mjedis sa më ekologjik. Ky projekt, përveçse dyfishon gjatësinë e bulevardit kryesor të Tiranës, do të krijojë një rrugë për një qasje të re të madhe, për shtimin e hapësirave të gjelbra në qytet, duke u bërë në këtë mënyrë projekti më i rëndësishëm në Tiranë në 80 vitet e fundit. Aktualisht, lumi i Tiranës është një zonë e lënë pas dore dhe në disa vende është kthyer në vendgrumbullimi të mbetjeve të ndryshme urbane. Zbatimi i projektit të bulevardit verior dhe lumit të Tiranës do të zhvillojë një nga pjesët më të prapambetura të qytetit të Tiranës.

 

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.