Bujar Nishani: Listë e gjatë për Prokurorin e ri, dekreti, çështje ditësh

Intervistoi: Sonila Meço/ ABC NEWS
Mund të zbuloni paraprakisht, në vigjilje të 28 Nëntorit, axhendën tuaj, ku do të jeni më datë 27, 28 Nëntor?
Personalisht kam një axhendë që, së pari u përgjigjet angazhimeve në kuadrin e 100-vjetorit, gjatë gjithë këtyre ditëve kam nisur, jam në vijimësi dhe do të përfundojë më 28 Nëntor me aktivitetet më të rëndësishme në kuadër të 100-vjetorit. Në datën 25-26-27 do të jem në Tiranë, në disa aktivitete kushtuar 100-vjetorit, dhe kryesisht vlerësimit të figurave të rëndësishme kombëtare shqiptare që i kanë shërbyer, le të themi, shtetit shqiptar, konsolidimit të shtetit shqiptar, evidentimit të kulturës së kombit shqiptar. Në datën 28 do të jem në Vlorë paradite, ku do të ketë ceremoni kryesore në “Sheshin e Flamurit”, më pas, kuptohet, në kuadrin e gjithë organizimit që bëhen nga Protokolli i Shtetit, do të vijojnë festimet në Tiranë, do të ketë paradë, e cila do të bëhet në sheshin “Skënderbej”, me sa kam informacion. Dhe natyrisht, do të ketë edhe aktivitete të tjera kulturore ku Presidenti do të jetë pjesë e këtyre aktiviteteve kulturore, dhe do të kulmojnë pastaj me pritjen ceremoniale që do të jepet në Pallatin e Brigadave nga Presidenti i Republikës, për të gjithë të ftuarit dhe pjesëmarrësit nga Shqipëria, nga Kosova, nga shqiptarët e Maqedonisë, e Malit të Zi, por dhe miqtë e huaj të shqiptarëve dhe të Shqipërisë, të cilët do të jenë ato ditë në Shqipëri.
Shtypi ka evidentuar disa çështje që lidhen me simbolikën që ka veshur 100-vjetorin, natyrisht simbolikë e lidhur me atë kombëtare. Një ndër elementët ka të bëjë me shqiponjën. Madje ishte evidentuar në katër foto të Presidencës, në faqen zyrtare, dy prej tyre po thuhet nga shtypi, janë jashtë ligjit, sepse është një shqiponjë e përçudnuar, e cila rezulton edhe në shitjet e ndryshme në treg që i janë bërë flamurit kombëtar ose simboleve të tjera ku shqiponja është paraqitur. A keni foto jashtë ligjit, zoti President, në faqen tuaj zyrtare?
Në faqen zyrtare të Presidencës, simbolet janë po ato simbole që kanë qenë gjithmonë në Presidencë dhe janë përdorur nga institucioni i Presidentit për shumë e shumë vite me radhë. Nuk ka ndonjë risi apo futje të re të simboleve në faqen zyrtare. Për sa u takon rasteve në konceptin tregtar të futjes ndoshta të një partie të caktuar të paraqitur nga subjektet private, të cilat janë në kundërshtim me çka parashikon formati i simbolit në ligjin përkatës, padyshim kjo është një çështje e hetimit të organeve doganore në radhë të parë, të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, dhe institucioneve të tjera, nëse verifikohet që kjo gjë mund të jetë dhe e qëllimshme. Dhe natyrisht, bllokimi i tyre nga tregu duhet të ishte hapi i parë. Por unë nuk shikoj që ka ndonjë të stisur, të qëllimshme apo të neglizhencës së institucioneve shtetërore.
Ju e keni bërë verifikimin, zoti Nishani, të flamurit, pavarësisht se e keni të trashëguar, siç thatë edhe ju, nga protokollet e kaluara, por i keni bërë një verifikim, nëse është shqiponja sipas elementeve tipike siç parashikohet në ligj?
Absolutisht po. Në institucionin e Presidentit të Republikës dhe në të gjitha ambientet është flamuri kombëtar simboli i parashikuar nga ligji, nuk ka asnjë dyshim në këtë rast.
Debate të shumta ka për mënyrën si kremtohet, mënyrën si festohet, nga dekori, paraqitja e simboleve, por natyrisht ky debat i gjerë, i hapur prej kohësh, në këtë 100-vjetor ka të bëjë me rishikimin e historisë, vlerësimin e figurave. Madje mund të themi që pjesë e debatit u bë dhe një ceremoni, ku ju ishit i pranishëm: riatdhesimi i eshtrave të mbretit Zog. Pse vendosët të ishit në një ceremoni të tillë, në cilësinë e Presidentit të një Republike?
Nderimi i figurave dhe i personaliteteve më të rëndësishme të shtetformimit shqiptar, të konsolidimit të shtetit shqiptar, të përpjekjeve të mbijetesës për ekzistencë të shtetit shqiptar, i cili padyshim reflekton pastaj në mbijetesën e kombit në vetvete, është në radhë të parë një detyrë patriotike, është një obligim shtetar, është një angazhim qytetar dhe është një vlerë civile e çdo institucioni, e çdo shteti dhe e çdo kombi. Përmes nderimit që iu bë figurës, kontributit të Mbretit të parë dhe të vetëm të Shqipërisë shtet, Ahmet Zogut, në këtë 100-vjetor ka qenë një nga momentet e shprehjes së një patriotizmi real, të një treguesi të një shoqërie civile, të një kombi të kulturuar, të një kombi që i vlerëson kontributet madhore të atyre individëve që bënë të mundur që ne të jemi sot këtu ku jemi.
Pavarësisht se historianët dhe politikanët japin mendime të ndryshme lidhur me rolin e Zogut në historinë e shqiptarëve?
Në lidhje me këndvështrimin e historianëve, padyshim që ajo mbetet pika kryesore me të cilën të gjithë duhet t’i referohemi në fund të fundit pjesës studimore, hulumtuese, shkencore, arkivore, që bëhet pastaj vetëm nga historianët. Por ka dhe një realitet tjetër. Fatkeqësisht, historia jonë e shkruar nën një trysni të marrë ideologjike, nga objektivat e përcaktuar. Shikoni, vetëm brenda gjysmës së dytë të këtij viti, sa shumë dokumente të reja kanë dalë në dritë në studimet e fundit që janë bërë nga historianë dhe johistorianë, por të paktën, të çliruar dhe të lirë tërësisht nga ndikimi i politikës apo i ideologjive të caktuara.
Ju keni dhe një princ në kabinetin tuaj, të Presidentit të Republikës, si Këshilltar Politik.
Natyrisht, nuk ka aktualisht ndonjë përplasje midis kërkesave që mund të kenë trashëgimtarët e Familjes Mbretërore për ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri. Presidenti i Republikës, institucioni i Presidentit të Republikës, është vendi ku më mirë se në çdo vend tjetër, çdo institucion tjetër, mund të trajtohen çështjet që lidhen me interesin kombëtar, ku mund të elaborohen më mirë se kudo tjetër, çështja kombëtare. Dhe pikërisht në kabinetin e Presidentit të Republikës, qenia pjesë e tij dhe e përfaqësuesve të Familjes Mbretërore, të cilët në të gjithë kohën dhe ekzistencën e tyre, çështjen kombëtare e kanë pasur çështje prioritare. Besoj që është një kontribut dhe një vlerë e shtuar, dhe nuk komprometon asgjë, për sa i takon çështjes së organizimit të sistemit politik që unë thashë, të vendit.
Zoti Nishani, a komunikoni me zotin Rama, me zotin Berisha? A keni një komunikim të drejtpërdrejtë, sidomos gjatë kësaj periudhe që ka patur një intensitet politik?
Jo, mund t’ju them se me zotin Rama nuk kemi patur komunikim të drejtpërdrejtë. Në të gjitha rastet që Institucioni i Presidentit ka pasur komunikim me partitë politike, Partia Socialiste është ftuar dhe është prezantuar me Kryetarin e Grupit Parlamentar. Pastaj, kam pasur edhe komunikime korrekte me zotin Rama. Nuk shoh asnjë lloj pengese për të pasur kontakte dhe komunikime me zotin Rama, me Kryeministrin kemi pasur disa takime në Zyrën e Presidentit të Republikës për çështje tërësisht të natyrës së punës dhe të angazhimeve, dhe të bashkërendimit të institucioneve në interes të çështjeve të shtetit. Por, gjithsesi nuk ka asnjë lloj pengese dhe asnjë lloj vështirësie për të pasur komunikim me të gjitha palët, me Presidentin e Republikës, absolutisht jo.
Për ju përfundon në nëntor mandati i Prokurorit të Përgjithshëm?
Jo për mua. Për Kushtetutën dhe për ligjin. Unë jam konsultuar në një kohë të gjatë. Jam konsultuar në një kohë të gjatë me ekspertë konstitucionalistë.
Pse nuk ia lejuat vetes të konsultoheni dhe me Gjykatën Kushtetuese, për shembull?
Nëse do të kisha një dilemë, padyshim që do të shkoja në Gjykatën Kushtetuese. Në Gjykatën Kushtetuese shkon dikush që ka një kundërshti, apo një dilemë.
Po kemi dhe gjysmën e politikës që ndan opinion krejt të ndryshëm lidhur me interpretimin e ligjit lidhur me mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm…
Nuk i jam referuar dhe nuk i referohem as njërës, as gjysmës tjetër në këtë çështje. I referohem tërësisht, në radhë të parë bindjeve si President i Republikës, të drejtë të cilën ma jep Kushtetuta dhe ligji për këtë rast dhe, pa dyshim, argumenteve që ekspertët konstitucionalistë më prezantuan. Rasti është shumë i thjeshtë dhe unë jam i bindur që edhe nëse do të ketë kundërshti, do të jenë shumë formale, në interpretime e kam fjalën, për faktin se do ta gjykojmë shumë thjesht: e kemi Prokurorin e Përgjithshëm me mandat, apo e kemi Prokurorin e Përgjithshëm pa mandat. Besoj që të gjithë biem dakord që është me mandat.
Sot është data 22 nëntor zoti President. Sipas arsyetimit, mbi bazën e Kushtetutës dhe të konsulencës juridike që ju keni pasur, sot duhet të mbarojë mandati i Prokurores së Përgjithshme. Çfarë veprimesh do të ndërmerrni?
Edhe në këtë rast ka një praktikë gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, e cila përcakton se autoriteti përkatës, në momentin kur e konsideron vakant vendin e institucionit kushtetues fillon procedurën e zëvendësimit të tij. Unë kam filluar të punoj për përgatitjen e dekretit për kandidatin për Prokuror të Përgjithshëm.
Sa e gjatë është lista e kandidatëve?
Jo shumë, por është e gjatë.
Keni krijuar një ide tashmë?
Në momentin kur unë do të krijoj bindjen për kandidatin përfundimtar, menjëherë unë do të dërgoj dekretin në Parlament.
Kur do të ndodhë kjo?
Unë besoj që është së afërmi.
Do të thotë brenda nëntorit?
Unë besoj që po.
Ka zonja lista juaj zoti President?
Ka edhe zonja.
Opozita ka shprehur qëndrimin e saj që mandati i Kryeprokurores duhet të përfundojë në datën 23 maj. Druheni se mund të përshkallëzohet kriza politike shqiptare në një konflikt të radhës që mund të krijohet pikërisht për datën e përfundimit të mandatit të Prokurores së Përgjithshme?
Nuk besoj, sepse, së pari do të kontribuoj që Institucioni i Prokurorisë të qëndrojë tërësisht larg debatit politik, tërësisht jashtë influencave politike të njërës palë, apo palës tjetër. Dhe jam i bindur, nëse në radhë të parë vet Prokuroria, vet prokurorët, por duke pasur dhe inkurajimin e Presidentit të Republikës në këtë rast do të qëndrojnë krejt të ftohtë ndaj debatit politik, do të qëndrojnë tërësisht jashtë afilacioneve politike, të cilat reflektohen në veprimtarinë e tyre profesionale, jam i bindur që nuk do të ketë asnjë argument që do të përkthehet pastaj, në thonjëza, në një debat politik për mandatin e Prokurores.
Me gjasa, nuk do të jetë konsensuale në Kuvendin e Shqipërisë…
Nuk e paragjykoj. Prandaj thashë që po qëndroj shumë thellë në krijimin e bindjes për figurën e kandidatit për Prokuror të Përgjithshëm që, pavarësisht gjykimit politik të njërës palë se ku është mandati, apo ku fillon mandati, apo kur mbaron mandati që nuk është një çështje besoj që ka nevojë për debate të shumta, të dërgoj në Parlament, në radhë të parë për bindjen e parlamentarëve, të deputetëve, por më shumë dhe për bindjen e qytetarëve. Kur flas për bindjen e qytetarëve, këtu brenda kam parasysh në mënyrë specifike bindjen e komunitetit të punonjësve të drejtësisë, të gjykatësve dhe prokurorëve, një figurë e cila simbolizon pikërisht ato kritere, jo vetëm që thotë ligji, por edhe atë performancë që profilizohet në gjykimin …
Mapo
Add new comment