Bregu: Komentet e Arvizu, të papërshtatshme. Aq më tepër që tashmë i ka përfunduar mandati

Një ndër figurat kryesore të PD-së, ministrja e Integrimit Majlinda Bregu garanton qytetarët shqiptarë se do të jetë një opozitë e fortë, denoncuese përmes fakteve konkrete përballë çdo premtimi të pambajtur të mazhorancës së re.
“Partia Demokratike do të jetë një opozitë e fortë, serioze në misionin e saj, do të jetë një ekip cilësor që do t’u provojë shqiptarëve se premtimet tona ishin konkrete. Nuk ka dyshim se duhej të kishim bërë më shumë, por ne i bëmë ato që premtuan dhe shqiptarët e dinë shumë mirë këtë. Askush nuk mund të mohojë, sado që të përpiqet, reformat e bëra nga qeveria “Berisha” përgjatë dy mandateve dhe të njëjtën gjë do të bënim sërish. Por përballë kemi një mazhorancë të re, e cila premton njëherë për 100 ditët e para, pastaj për 300 ditët dhe 4 vitet, por shumë shpejt do përballet me reagimin e opozitës dhe qytetarëve”, është shprehur ajo.
Bregu premton seriozitet dhe përkushtim të opozitës së djathtë në parlament në mbrojtje të interesave të shqiptarëve, ndërsa denoncon kryesocialistin Edi Rama për premtime globaliste dhe të parealizueshme. Sipas Bregut, ato do të zhbëhen shumë shpejt.
Ministrja Bregu komenton edhe ekipin e ri të z.Rama, të cilët i quan të rinj që nuk kanë bërë asnjë lloj pune në jetën e tyre.
“Të qeverisësh është përgjegjësi, por nuk mund të qeverisësh me njerëz të rinj që nuk kanë punuar asnjë ditë. Kjo është tallje që u bën qytetarëve të këtij vendi.Unë nuk jam kundër të rinjve që të marrin përgjegjësi, të rinj jemi dhe, por ne para se të bëheshim pjesë e qeverisjes, kishim të paktën deri në 10 vite punë”, pohon bregu për “GSH”-në.
Ajo ndalet edhe tek deklarata e ambasadorit amerikan Arvizu, duke i kujtuar se shqiptarët që kanë votuar nuk mund të krahasojnë në asnjë rast zgjedhjet e 23 qershorit 2013 me situatën e vitit 1992.
“ Nuk ka asnjë debat me ambasadorin Arvizu. Por ajo që mund të them është se asnjë ambasador nuk mund të bëjë komente adekuate. Aq më tepër që z. Arvizu i ka përfunduar mandate dhe është në ikje”, shprehet ajo.
Bregu nënvizon se që në ditën kur kalon në opozitë përgatitesh për të marrë pushtetin dhe thekson se se beteja do të jetë e përditshme deri në rikthimin në pushtet./A.XH
Tema
Add new comment