Braçe: Ministrat e rinj, Nishani po shkel Kushtetutën e po futet në rrugë pa krye

Postuar në 08 Shtator, 2013 04:38

Socialisti sulmon Presidentin. “U soll si ministër plotësues i qeverisë ‘Berisha’” 

BLEDAR HOTI

Përfshirja në lupë e ministrave të rinj të kabinetit qeveritar socialist Rama nga ana e Presidentit Bujar Nishani ka shkaktuar reagimin e parë të fortë nga radhët e PS-së. Deputeti socialist, Erjon Braçe, ka kontestuar fuqishëm qëndrimin e kreut të shtetit se do t’u drejtohet institucioneve të specializuara për të ushtruar kontrollin e figurave të ministrave të qeverisë së re socialiste. “Presidenti i Republikës po hyn në një rrugë pa krye; antikushtetuese dhe tërësisht politike!! Deklarata e tij se: “Kryeministrin do ta dekretoj menjëherë, por për ministrat do të pyesë SHISH”, është një dalje me vetëdije nga korniza kushtetuese e këtij vendi. Dje pyeta prej studios së një TV-je: Në cilin ligj bazohet ky veprim i paralajmëruar nga Presidenti i Republikës? Nuk prisja përgjigje nga Presidenti! E thjeshtë, ai nuk ka ç’të thotë. Ligji i vetëm ku është e shkruar e për pasojë e përcaktuar korniza e tij ligjore është Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, shkruan Braçe në “Facebook”. Më tej deputeti socialist jep dhe arsyet se pse një ide e tillë është në kundërshtim me ligjet e shtetit shqiptar. “Në Kushtetutë nuk parashihet në asnjë nen e germë ky veprim i tij. Aty në Kushtetutë thuhen qartë dy gjëra: E para, çdo individ prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjykate të formës së prerë. Presidenti i Republikës ka thënë se do t’i drejtohet SHIK!!! Jo një gjykate për të verifikuar nëse ndonjë prej ministrave është dënuar apo jo për vepra penale të rënda, krim i organizuar, trafik, korrupsion apo vrasje. Atëherë gjithçka që thotë nga kjo pikëpamje është antikushtetuese. Në dijeninë time, asnjë nga ministrat e shpallur në emër të mazhorancës, nuk rezulton të jetë dënuar ndonjëherë për këto vepra. E dyta; hetimi penal në Republikën e Shqipërisë është atribut i prokurorisë së republikës. Presidenti i Republikës ka thënë se do t’i drejtohet SHIK!! Jo një prokurorie për të verifikuar nëse ndonjë prej ministrave është nën ndonjë akuzë për vepra të rënda penale, krim i organizuar, trafik, korrupsion apo vrasje. Atëherë gjithçka që thotë nga kjo pikëpamje, për herë të dytë, është antikushtetuese.

Në  dijeninë time, asnjë nga ministrat e shpallur në emër të mazhorancës, nuk rezulton të jetë nën ndonjë akuzë për këto vepra e për të cilat, me anë të funksionit që do të marrë do të pengojë hetimin. Po lë mënjanë faktin që ligji për SHIK nuk parasheh në asnjë nen të tij, si veprimtari të tij, gjithë ç’kërkon prej këtij institucioni Presidenti i Republikës në këtë rast”, shkruan Braçe. Nisur nga të gjitha këto deklaruara më sipër, për përfaqësuesit e mazhorancës së re, Nishani po sillet jo si një president, mbi palët, por si një ministër i qeverisë “Berisha”. “Nisur nga sa më sipër, gjithë çka paralajmëruar Presidenti i Republikës është: Një agresion i ri ndaj mazhorancës së re të krijuar nga vota e 1 milion shqiptarëve; antikushtetues, antiligjor dhe me qëllime të mirëfillta politike! Presidenti i Republikës duhet të kuptojë njëherë e mirë se më 23 qershor shqiptarët mundën dhe atë! Ai ka qenë pjesë e kësaj qeverie që po ikën dhe në Presidencë u soll njësoj si një ministër plotësues i saj!”, thekson Braçe.

 

Deklarata e Presidentit

“Ramën e dekretoj menjëherë, ministrat do t’i verifikoj tek institucionet” 

Data 10 shtator mund të bëjë që vendi të ketë një kryeministër të ri. Një gjë e tillë e pati deklaruar kreu i shtetit, Bujar Nishani, në një intervistë për “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu. Presidenti ka deklaruar se do ta firmoste menjëherë dekretin për emërimin e liderit të PS-së, Rama si kryeministër i vendit. Për dekretet e ministrave, Nishani ka bërë të ditur se ka një afat 10-ditor, duke shtuar se do të zbatojë ligjin duke iu drejtuar institucioneve përkatëse. “Pa diskutim. Jam njohur përmes mediave, sepse kanë qenë deklarata zyrtare të përfaqësuesve të mazhorancës së re qeverisëse për emrat, por natyrisht Presidenti i Republikës duhet të reflektojë tek opinioni publik një qëndrim strikt ndaj procedurës dhe ligjit. Kjo nuk do të thotë që ne mund të bëjmë të paqenin; gjithsesi, janë institucionet ato që e ndihmojnë Presidentin e Republikës. Janë institucionet e shtetit shqiptar ato që verifikojnë integritetin, ligjshmërinë e propozimeve që vijnë nga forcat politike, aktualisht nga mazhoranca konkrete. Presidenti i Republikës duhet t’i ndjekë të gjitha hapat ligjorë dhe kushtetues që e lidhin atë me një detyrë kaq të rëndësishme, sa ç’është dekretimi i një qeverie të re”, tha Nishani.

 

Kryeministri i ri

Rama, në mbledhjen e OKB në shtator

Kryeministri i ri, Edi Rama, pritet të zhvillojë takime me liderë botërorë gjatë mbledhjes që pritet të mbahet në sesionin e përhershëm të OKB-së. Menjëherë pas betimit dhe riformatimit të qeverisë së re, Rama pritet të ballafaqohet përpara liderëve botërore tashmë si Kryeministri i Shqipërisë. Lajmi për praninë e tij në këtë sesion të jashtëzakonshëm më datën 27 shtator e pati dhënë vetë kreu i shtetit, Nishani, i cili është tërhequr për të përfaqësuar Shqipërinë në këtë sesion, duke bërë që Rama të jetë zëri i Tiranës zyrtare. Kjo mund të shihet si një mundësi e prezantimit zyrtar duke realizuar kështu dhe kontakte me direkte me kryeministra apo presidentë të shteteve anëtare të OKB-së. Gjithashtu mësohet se Presidenti, pavarësisht nga tërheqja e përfaqësimit do të udhëtojë drejt SHBA-së, kjo për të marrë pjesë në takimin e organizuar nga ish-presidenti Bill Klinton. “Përfaqësuesi i Shqipërisë në këtë rast në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së do të jetë Kryeministri i ri i vendit. Ndërsa aktivitetet e mia do të fokusohen në; axhendën që ka fondacioni i zotit Clinton, disa takime me komunitetin shqiptar në Boston dhe në Detroit për të cilën, për shkak të axhendës, unë vitin e kaluar nuk pata mundësi t’i realizoja”, tha Nishani në një intervistë televizive. Përfaqësimi i Shqipërisë në Asamblenë e OKB-së ka qenë përherë një konflikt i përhershëm mes Kryeministrit dhe Presidentit. Kështu, Kryeministri Berisha përplasej me Presidentin e atëhershëm, Bamir Topi, për mënyrën e përfaqësimit. Pas zgjedhjes së Nishanit në krye të shtetit, Berisha u zbut, duke lënë Presidentin aktual të përfaqësonte vendin në asamblenë e OKB-së.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.