Bozhdo: Legalizimet për Tiranën mbyllen këtë vit

Të paktën për kryeqytetin procesi i legalizimeve të banesave informale do të mbyllet brenda këtij viti. “Ka përfunduar shqyrtimi i 24 mijë dosjeve dhe kanë mbetur edhe 3 mijë të tilla”, – tha dje drejtori i ALUIZNI-t për Tiranën, Kreshnik Bozhdo. Ai theksoi se procesi për 80 për qind të dosjeve ka përfunduar. Kreu i këtij institucioni thotë se po punohet me oraret e zgjatura për ta mbyllur sa më shpejt procesin. Me përfundimin e dosjeve u ngelet qytetarëve të kryejnë pagesat dhe brenda 4 ditëve ata marrin lejen e legalizimit për të marrë më pas certifikatën e pronësisë. Sipas ligjit, qytetarët kanë tri vite kohë për të paguar paratë, në të kundërt banesat e tyre do të shemben. Ky është penaliteti më i ashpër që parashikon ligji, mirëpo ligji i jep të drejtë qeverisë të aplikojë mënyra alternative pagese për ata që nuk kanë mundësi të paguajnë sipas detyrimeve ligjore. Por indiferentizmi i qytetarëve për të paguar dhe më pas për të përfituar lejen e legalizimit e ka bllokuar procesin në të gjithë vendin. Mjaft qytetarë edhe pse kanë marrë faturën financiare për të bërë pagesën për shtesën e pallatit që e kanë ndërtuar pa leje, nuk paguajnë. Sipas nenit 18 të ligjit “Për legalizimet”, likuidimi i çmimit të truallit të parcelës ndërtimore bëhet menjëherë në çastin e nënshkrimit të kontratës. Përjashtim nga rregulli i mësipërm bëhet vetëm për likuidimin e çmimit të ndërtimeve me destinacion banimi. “Në këto raste, në mungesë të aftësisë paguese subjekti ka të drejtë të shlyejë çmimin e blerjes sipas kërkesës së tij, me dy këste, që shlyhen brenda 1 viti nga data e kontratës. Subjekti që ndodhet në kushtet e paaftësisë financiare, duhet të deklarojë këtë fakt në çastin e vetëdeklarimit të ndërtimit pa leje. Ky vetëdeklarim konsiderohet i mirëqenë”, citon ligji. Po sipas përcaktimeve të ligjit, zyra qendrore e ALUIZNI-t ka të drejtë të miratojë zgjatjen e afatit të pagesës së detyrimit për subjektin individual, i cili nuk ka likuiduar këstin sipas kontratës.
MAPO
Add new comment