Bota zgjohet me Papën e ri

E gjithë bota është zgjuar të enjten me atin e ri të shenjtë, Papa Françeskun, i cili e ka nisur ditën me një lutje në Bazilikën Shën Mëria e Madhe.
Papa është lutur në Kapelën Paolina, përpara imazhit të Madonna Salus Populi Romani dhe më pas është spostuar në Kapelën Sistine të së njëjtës bazilikë, ku është lutur sërish. Në fund, ai është ndalur tek varri i Shenjtorit Pio V.
Kur lajmi për praninë e Papa Françeskut në Bazilikën e Shën Mërisë së Madhe është përhapur në lagjen romane, një turmë e vogël me rreth 150 persona është mbledhur para hyrjes anësore.
Papa i riPapa Françesku, Obama: Një kampion i varfërisë!Zgjedhja e Papës, argjentinasit në festë Kush është Papa Françesku?
Besimtarë dhe kuriozë kanë pritur për më shumë se 30 minuta daljen e Papës, por në fund kanë mbetur të zhgënjyer pasi ati i shenjtë është larguar nga një hyrje tjetër.
Kur Papa ka dalë nga bazilika, ai ka përshëndetur me dorë disa studentë të një shkolle që ndodhet përballë objektit të kultit, të cilët kishin dalë në dritare.
Të rinjtë e kanë thirrur atin e shenjtë dhe kanë lëvizur duart për t’i tërhequr atij vëmendjen. Në atë pikë, Papa Françesku i ka përshëndetur ata me dorë para se të futej në makinë për t’u larguar.
Kardinali argjentinas Jorge Mario Bergoglio u zgjodh Papë mbrëmjen e së mërkurës, në votimin e pestë të kardinalëve nga e gjithë bota, të mbledhur në Kapelën Sistine të Vatikanit. Ai është Papa i parë amerikano-jugor në histori që zgjidhet për të drejtuar Kishën Katolike.
Fjalët e tij të para përpara turmës në sheshin Shën Pjetër ishin: “Konklava më zgjodhi nga fundi i botës”, për të kërkuar më pas nga besimtarët që të luteshin për të, për të marrë bekimin nga Zoti.
TOP CHANNEL
Add new comment