Borxhi ka kaluar limitin, s’jep më rritje ekonomike

Studimi i specialistëve të Bankës së Shqipërisë për politikën fiskale dhe rritjen
Gjatë viteve të fundit, reforma fiskale ka qenë në fokus të ekonomistëve dhe të debatit politik në Shqipëri. Deri më sot, pak ose aspak nga analistët nuk kanë arritur të matin efektin e tyre në rritjen ekonomike të vendit. Specialistët e Bankës së Shqipërisë duket se kanë arritur të bëjnë një matje të tillë. Rezultat janë pak ndryshe nga sa trumbetohet nga ekonomistët në detyrë dhe ata në opozitë. Sipas studimit të publikuar në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë, “Politika fiskale dhe rritja ekonomike: rasti i Shqipërisë”, borxhi i Shqipërisë duket se ka arritur limitin e produktivitetit. Sipas studiuesve, “rezultatet e arritura tregojnë se politikat tatimore të qeverisë kanë ndikim më të madh në rritjen ekonomike, sesa ato të shpenzimeve”.
DEFICITI
Sipas studimit, rritja e çdo kategorie të të ardhurave ose ulja e shpenzimeve nga qeveria, sjell efekte negative në rritjen ekonomike. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme të gjendet rruga e mesme që ndikimi i politikës fiskale të jetë në favor të rritjes. “Në qoftë se qeveria dëshiron të rrisë të ardhurat, duhet të zgjedhë taksat jodirekte në vend të atyre direkte, për shkak se ndërsa rriten, efekti i tyre në rritjen ekonomike është më i vogël. Nga ana tjetër, vlera e koeficienteve sugjeron që, nëse qeveria dëshiron të zvogëlojë deficitin fiskal nëpërmjet politikave të shkurtimit të shpenzimeve, ajo duhet të marrë parasysh uljen e shpenzimeve joproduktive në vend të atyre produktive, pasi e para ka një ndikim negativ në rritjen ekonomike.”
INVESTIMET
Sipas matjeve, duket se rritja e shpenzimeve të qeverisë ka dhënë një ndikim në shmangien e krizës botërore edhe këtu. “Rritja e shpenzimeve kapitale ka pasur ndikim pozitiv më të madh në rritjen ekonomike dhe gjithashtu ka zbutur efektet negative që kriza globale financiare dhe ekonomike pati në ekonominë shqiptare”. Studiuesit i referohen edhe besimit të biznesit, pra se rritja e investimeve të qeverisë, veçanërisht në kohë krizash ekonomike, rrit besimin e biznesit. Por duket se gjithçka e ka një limit. Pra, rritja e investimeve, duke ndjekur një politikë taksash të ulëta, pra më borxh, ka një impakt që vjen duke u zbehur. Nga ana tjetër, dobësimi i impaktit të shpenzimeve në rritjen ekonomike vjen kryesisht për shkak të ndikimit negativ në rritje të shpenzimeve joproduktive. Duke iu referuar studiuesve, në raportin e Bankës vlerësohet se barra e borxhit është mbi një prag të nxitjes së rritjes ekonomike. Që në vitin 2006, kur pritej rritja e borxhit në Shqipëri, ishte parashikuar se “një rritje e mëtejshme përtej aftësisë paguese shqiptare ose nivelit të qëndrueshmërisë, mund të dekurajojë investimet publike brenda strukturës së buxhetit dhe mund të zëvendësojë efektin e rritjes së investimeve private. Për këtë arsye, studimi parashikon se, “nëse qeveria dëshiron të stimulojë aktivitetin ekonomik nëpërmjet rritjes së shpenzimeve produktive, ajo duhet ta bëjë këtë gjë nëpërmjet uljes së shpenzimeve joproduktive, sesa nëpërmjet instrumenteve të huamarrjes”.
BORXHI MBI LIMIT
Por duket se qeveria jo vetëm që nuk i ka ulur shpenzimet korrente për të rritur investimet, por ka shtuar më tej borxhin për të investuar. “Që nga viti 2007, lidhja midis rritjes ekonomike dhe shpenzimeve është më e dobët, ndërsa të ardhurat kanë ndikim më të madh negativ në rritjen ekonomike. Rezultatet tregojnë se ndikimi negativ në rritje i të ardhurave vjen kryesisht nga politikat deformuese. Politikat e shpenzimeve pasqyrojnë sjelljen e politikave fiskale kundërciklike nëpërmjet rritjes së pagave dhe shpenzimeve kapitale. Më tej rezultatet tregojnë se vlera e koeficientit të barrës së borxhit lidhet negativisht me normën e rritjes ekonomike. Ky efekt është statistikisht i rëndësishëm, ndërkohë që ndikimi është edhe më i madh që prej vitit 2007. Financimi i investimeve kapitale të qeverisë nëpërmjet mekanizmave të huamarrjes ka stimuluar rritjen ekonomike, por kufiri i borxhit është sipër pragut të nxitjes së rritjes ekonomike”.
PANORAMA
Add new comment