Bonot e thesarit, interesi zbret në 4.5 % nga kërkesa e lartë

Banka e Shqipërisë ka shitur dje për llogari të qeverisë 10.9 miliardë lekë bono thesari me afat maturimi 3 dhe 12-mujor. Kërkesa e lartë për të blerë letra me vlerë të qeverisë, kryesisht nga bankat tregtare, ka bërë që interesi të zbresë sërish, duke shënuar një tjetër minimum historik. Për bonot me maturim 12-mujor, shuma e shpallur për shitje ishte 8.6 miliardë lekë, ndërsa ajo e kërkuar ishte rreth 14.2 miliardë lekë. Interesi mesatar zbriti në 4.58 %, nga 4.87 %, që ishte në ankandin e mëparshëm me të njëjtin afat maturiteti. Për bonot 3-mujore, shuma e shpallur për shitje ishte 2.3 miliardë lekë dhe ajo e kërkuar 3.6 miliardë lekë. Interesat e bonove janë ulur vazhdimisht gjatë këtij viti, me bankat që i kanë përqendruar investimet e fondeve të lira në blerjet e letrave me vlerë të qeverisë, në një kohë që stoku i kredisë për ekonominë pothuajse ka qëndruar në vend. Sipas të dhënave të fundit, në raport me dhjetorin 2012, stoku i kredisë për biznesin dhe individët është rritur vetëm me 2.73 miliardë lekë apo 0.49 %. Një vit më parë, ndryshimet përkatëse ishin 10.8 miliardë lekë ose 2 %. Në të kundërt, zëri “Veprimeve me letrat me vlerë”, në bilancet e bankave ishte 12.3% apo 31 miliardë lekë për të njëjtën periudhë.
MAPO
Add new comment