Blushi: Ndryshimi i administratës i nevojshëm, por të gjendet koha e duhu

Ndërsa qeveria dhe mazhoranca janë futur në një lojë nervash sa i përket debatit për Aktin Normativ të shtyrjes së ligjit të Nëpunësit civil, një prej figurave kryesore të socialistëve, Ben Blushi i hedh “benzinë” këtij zjarri, duke ngritur një sërë pikëpyetjesh nëse ky hap do të ndikonte apo jo në marrjen e statusit të vendit kandidat. Duke folur dje në komisionin e Integrimit, ai ka qenë dakord që administrata publike ka nevojë për një reformë apo ndryshim të sajin, por ka theksuar se për të bërë këtë gjë duhen gjetur mekanizmat dhe koha e duhur. Ndërkohë që ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha ka sqaruar se nuk ekziston rreziku i penalizimit për çështjen e statusit, pasi vetë BE-ja ka qenë e angazhuar në këtë debat me anë të projektit të saj SIGMA.
Komisioni
Komisioni i Integrimit ka thirrur dje në një seancë dëgjimore ministren e Integrimit, Klajda Gjosha, e cila ka raportuar lidhur me situatën, masat dhe shanset e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat në muajin dhjetor. Duke theksuar se Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim, ajo ka evidentuar disa nga hapat që do të ndërmerren nga ekzekutivi, ku veç të tjerave ka përmendur ngritjen e një drejtori të përfaqësimit të legjislacionit në çdo ministri, si dhe ngritjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian. Gjithashtu ajo ka evidentuar se një nga masat që do të ndërmerren është edhe dhënia e bursave për të studiuar në universitetet më të mira të BE-së të studentëve më të mirë shqiptarë, por me kusht që pasi të mbarojnë studimet të kthehen sërish për të kontribuar për vendin dhe për procesin e integrimit të plotë. Ndërsa si masë afatshkurtër ajo ka përmendur edhe reformën e administratës publike dhe zbatimin e ligjit “Për statusin e nëpunësit civil”, i cili në fakt është kthyer dhe në një debat të ashpër politik në vend. “Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë për procesin e integrimit dhe masat që do të ndërmerren dhe afatshkurtra janë reforma në administratën publike, zbatimi i ligjit për nëpunësin civil me nxjerrjen e akteve nënligjore. Tashmë ka nisur puna për hartimin e akteve nënligjore”, – tha Gjosha.
Blushi
Por duke marrë shkas pikërisht nga ky deklarim i ministres, deputeti socialist Ben Blushi ka ngritur dyshime mbi vendimin e qeverisë për ta shtyrë hyrjen në fuqi të ligjit në fjalë. Ndaj ai ka pyetur ministren se, cili është në të vërtetë opinioni i BE-së për këtë çështje. “Si e lexon Bashkimi Europian këtë sipas jush? E inkurajon, është hezitues? Mund të ketë efekte në statusin e pritshëm në dhjetor?” – pyeti Blushi. Ndërkohë që ministrja ka sqaruar se ka qenë vet DAP i qeverisë së shkuar ai që ka ngritur fillimisht shqetësimin për mungesën e akteve nënligjore, ndërsa ka shpjeguar se më pas në gjithë këto zhvillime BE-ja ka qenë e angazhuar direkt me anë të projektit të saj SIGMA, duke mbështetur nismën e qeverisë. Por Blushi nga ana e tij i ka kujtuar ministres se një nga arsyet për të cilat ka humbur statusin e vendit kandidat për disa vite rresht ka qenë edhe mungesa e konsensusit mes mazhorancës dhe opozitës. “Kjo nuk është çështje procedurale, kjo është një çështje e nxehtë politike. Për shkak se në zgjedhjet e shkuara u ndëshkua një shumicë e cila dështoi t’i jepte Shqipërisë reformat e duhura, u ndëshkua një qeveri për shkak të mungesës së reformave, nivelit të lartë të korrupsionit që erdhi duke u rritur këto vitet e fundit, mungesës së konsensusit politik me opozitën. Të gjitha këto ishin faktorë se përse nuk e morëm statusin dhe qeveria që ishte kaloi në opozitë”, – tha Blushi. Më tej ai ka theksuar se mbështet qeverinë sa i përket nevojës për të ndryshuar administratën, por sugjeroi që kjo duhet të bëhej me mjetet dhe kohën e duhur. “Unë besoj se si shumë kolegë në këtë parlament, do ta inkurajoja qeverinë që të ndryshonte apo të reformonte administratën publike, por prapë duket t’i kthehem pyetjes time, duket të kemi një qasje të sinqertë me Bashkimin Europian. Në Shqipëri nuk mund të këtë reforma në qoftë se administrata civile nuk reformohet, dhe padyshim të gjejmë procedurat dhe kohën e duhur për ta bërë, po kjo është e domosdoshme, kjo është ajo që do të kërkoja”, – u shpreh Blushi ndërsa i kërkoi ministres që t’i tregonte të vërtetën BE-së se qeveria do ta ndryshojë administratën.
Mapo
Add new comment