Blair: Banka Botërore do të mbështesë qeverinë “Rama” për programin e saj

Kryeministri zhvillon takimin e parë të rëndësishëm në SHBA
Fatjona Mejdini
Edi Rama ka takuar dje kreun e Bankës Botërore, ku mësohet se ka marrë një premtim për nisjen e një programi mbështetjeje për Shqipërinë. Rama njoftoi dje nga Nju Jorku ku ndodhet në një vizitë zyrtare, se në Kryeministri do të ngrihet një njësi speciale zhvillimi e prioriteteve të Shqipërisë. Por interesant është fakti se si konsulent për këtë nismë të rëndësishme, Rama ka zgjedhur ish-kryeministrin britanik Tony Blair dhe po kështu presidentin e Bankës Botërore, Jim Yong Kim, me të cilët ka zhvilluar një takim ditën e djeshme. Kreu i ri i ekzekutivit nuk ngurroi të theksonte se Shqipëria do të ishte një nga vendet e para në botë, që në bashkëpunim me Bankën Botërore do të bënte të mundur ndërtimin e një strukture të tillë, e cila kishte si synim përkthimin e programit qeverisës në rezultate konkrete. Pas takimit, një prononcim dha dhe këshilltari i qeverisë shqiptare, ish-kryeministri britanik, Blair. Ai theksoi se takimi i Ramës me drejtuesit më të lartë të Bankës Botërore ishte shumë i rëndësishëm dhe efikas, duke sjellë shpresa pozitive për reforma të thella në shërbim të qytetarëve në Shqipëri. Duket se ish-kryeministri britanik, Tony Blair, ka nisur punën në terren për të asistuar qeverinë e re shqiptare dhe se në Nju Jork është krijuar terreni ideal për të nisur fushatën e lobimit.
Rama
Pas takimit me Presidentin e Bankës Botërore, Jim Yong Kim, nën shoqërinë e Tony Blair, Rama u shpreh optimist për mbështetjen e bankës në kuadër të një projekti pilot. Ky projekt do të mundësojë ngritjen e një zyre në Kryeministri, e cila ka si qëllim përkthimin e programit të PS-së në rezultate konkrete. Rama gjithashtu theksoi se kjo nismë do të përfshinte në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe ish-kryeministrin britanik, Tony Blair. “Është shumë domethënëse që presidenti i Bankës Botërore është drejtpërdrejt i interesuar për të mbështetur Shqipërinë, falë programit dhe axhendës së qeverisë sonë dhe që së bashku me ish-kryeministrin Blair ne do të vëmë në jetë shumë shpejt një strukturë të posaçme të arritjes së rezultateve dhe të kalimit të çdo pjese të programit në procesin e realizimit dhe të përkthimit në rezultate. Ky është një moment i rëndësishëm për Bankën Botërore, që me një grup liderësh rreth e rrotull planetit po përpiqet të fusë këtë eksperiencë të re, që do të jetë dhe eksperienca e qeverisë së re shqiptare”, theksoi Rama, pas takimit me presidentin e Bankës Botërore.
Blair
Ish-kryeministri britanik, Blair, e konsideroi si të shkëlqyer takimin që Rama zhvilloi me presidentin e Bankës Botërore. Ai theksoi se Shqipërinë e presin përpara sfida shumë të rëndësishme dhe se mbështetja e Bankës Botërore është tepër e rëndësishme në një moment të tillë. “Patëm një takim të shkëlqyer sot me Kryeministrin Rama dhe me Bankën Botërore, për të parë sesi mund ta ndihmojmë qeverinë e re shqiptare për të sjellë ndryshimin që duan të shohin njerëzit në Shqipëri. Vendin e presin sfida të mëdha dhe ka shumë punë për të bërë. Kryeministri ka një program shumë energjik e të vendosur dhe mendoj se fakti që presidenti i Bankës Botërore ka ardhur për ta takuar atë dhe për t’i thënë se kemi për t’i dhënë mbështetjen tonë të plotë Shqipërisë, na jep shpresë dhe diçka me të cilën mund të punojmë në të ardhmen. Mendoj se takimi ishte i shkëlqyer, konstruktiv, shumë i rëndësishëm”, theksoi Blair, duke shprehur kështu optimizëm për këtë takim. Ish-kreu i qeverisë së Britanisë së Madhe ka nisur tashmë punën në terren në kuadër të përzgjedhjes së tij si këshilltar i qeverisë së re shqiptare. Blair dhe stafi i tij dhanë një ndihmë të madhe për socialistët dhe gjatë fushatës elektorale.
Add new comment