Biznesi kundër Berishës për tatimet dhe TVSH-në

- Mblidhet Task Forca për Reformën Rregullatore për lehtësimin e barrës administrative të biznesit, kryeministri përballet me ankesat e biznesit
Ornela Manjani
-Arbitrariteti i administratës tatimore, mbajtja “sekret” e regjistrit të kredive të këqija, pagesa me para në dorë e gjobave të makinave, aplikimi i TVSH-së 20 % për operatorët e turizmit dhe mungesa e një renditje për këtë kategori biznesesh, lejet dhe licencat për kërkimin dhe nxjerrjen e mineraleve, janë çështje që kanë vënë në vështirësi kryeministrin Berisha përballë përfaqësuesve të biznesit. Në një takim që zgjati më shumë se tri orë përfaqësuesit e bizneseve kanë njohur kryeministrin, jo vetëm me handikapin ligjor që rregullon marrëdhëniet shtet-biznes, por edhe mosdakortësinë e tyre në lidhje me politikat që po ndjek qeveria në lidhje me biznesin në kalimin e krizës.
Kërkesat
Përfaqësuesit e bizneseve i kanë kërkuar kryeministrit rimburismin në kohë të TVHS-së dhe shlyrjen e borxheve të prapambetura që ka qeveria ndaj operatorëve ekonomik. Lista e kërkesave drejtuar kryeministrit ka vijuar me rishikimin e lejeve minerare, për të cilat përfaqësues të këtij biznesi pretenduan se lejet mbivendosen, gjykata zvarrit proceset dhe pala e dëmtuar nuk mund të shfrytëzojë më zonën por as të kompensohet për dëmin ekonomik që i shkaktohet. Për- faqësuesit e Konfindustrisë i kërkuan kryeministrit që sa më parë të bëhet publike lista e bizneseve që kanë kredi të këqija dhe që nuk janë në gjendje të likuidojnë partnerët ekonomikë me qëllim që të mos dëmtohen edhe bizneset e tjera që kryejnë shkëmbime me firma që janë në prag falimentimi. Deri tani këtë listë e disponon të plotë Banka e Shqipërisë dhe bankat tregtare që i kanë klientë dhe i klasifikon si kredi të këqija. Kërkesë e këtij grupi ishte rregullimi i marrëdhënieve tatime-biznes, e cila ka dëmtuar ndjeshëm interesat e biznesit. Një tjetër kërkesë e shtruar gjatë takimit mes përfaqësuesve të biznesit dhe Kryeministrit ishte edhe vendosja e një sistemi on-line për pagesat e taksave të makinave, pasi pagesa cash dëmton biznesin. Përfaqësuesit e operatorëve turistikë ishte heqja e TVSHsë 20 % për këtë sektor. Sipas tyre, të gjitha vendet e rajonit aplikojnë TVSH-në në masën nga 3 deri 10 %, ndërsa operatorët shqiptarë paguajnë 20 % duke u vënë në vështirë përballë konkurrentëve të tyre në rajon.
Ndryshimet
Pasi është njohur me pretendimet e biznesit Kryeministri vlerësoi si mjaft të favorshme klimën e biznesit në vend dhe pranoi se kriza ekonomike sapo ka nisur. “Për reformën në inspektim janë analizuar rreth 121 ligje sektoriale, janë amenduar 77 ligje dhe është ndërhyrë në 12 draftligje në proces hartimi. Kjo reformë mundëson uljen e ditëve të inspektimit nga 45 ditë në 5-15 ditë; uljen e kostos së inspektimit nga 1000 euro në 100-200 euro për llojet e ndryshme të bizneseve; praktikat më të mira në inspektim, zbatim i einspektimit, eliminim të arbitraritetit të inspektorëve, mundësisë për ryshfet dhe korrupsion; komunikim të shpejtë, transparent e cilësor me të gjitha institucionet e përfshira në aktivitetin e biznesit”-tha Berisha
BB: Shqipëria, vend me çekuilibër financiar
Heqja me ligj në Shqipëri e tavanit prej 60% për borxhin publik rrezikon rritjen e mëtejshme të tij dhe daljen jashtë kontrollit. Sipas Bankës Botërore çekuilibrat financiarë pengojnë rritjen ekonomike në Shqipëri. Borxhi publik i Shqipërisë ka arritur në muajt e parë të këtij viti në 63,8 %, të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB ose GDP) në një kohë kur vendet e rajonit e kanë më të ulët borxhin publik dhe më të lartë PBB. Referuar të dhënave të fundit: Serbia e ka borxhin publik 58%, Kroacia 54%, Mali i Zi 52%, Maqedonia 31% dhe Bosnja 27%. Ndërkohë që heqja me ligj në Shqipëri e tavanit prej 60% për borxhin publik rrezikon rritjen e mëtejshme të tij dhe daljen jashtë kontrollit. Përvoja e hidhur e Greqisë, me një borxh publik mbi 100 % të GDP-së dhe cilësimi i krizës emblematike të Greqisë si "krizë e borxhit publik" ka ngjallur alarm tek institucionet financiare ndërkombëtare, të pranishme në Shqipëri. Banka Botërore (BB), në mënyrë këmbëngulëse, përmes përfaqësuesve të saj e ka paralajmëruar qeverinë e Tiranës se nëse nuk ulet borxhi publik apo kombëtar, Shqipëria rrezikon ta pësojë si Greqia. Shqetësimi artikulohet si "rritje e çekuilibrave financiarë që pengojnë rritjen ekonomike". Ellen Goldstein tha në Tiranë se "niveli më i përshtatshëm i borxhit për një ekonomi në zhvillim si Shqipëria është rreth 40 për qind e PBB-së. Ky është standardi global, që ekonomia të mos jetë në stres dhe në risk, por nuk ka ndonjë shifër magjike sesa duhet të jetë niveli i borxhit publik. E mira është të jetë i ulët", theksoi ajo.
SHEKULLI
Add new comment