Birësimet, tarifat sipas kombësive, 20 mijë lekë – 1 mijë dollarë

Postuar në 26 Maj, 2013 15:11

Gjykata e Tiranës, 58 kërkesa në vitet 2010-2013. Kryesojnë listën kanadezët

Shpresa Mezini

Bashkëshortët që për arsye shëndetësore nuk mund të gëzojnë fëmijët e tyre biologjikë, mund të aplikojnë në përputhje me ligjin për të fituar të drejtën e birësimit në vend. Praktikë kjo që nuk vlen vetëm për vendasit, por edhe për shtetasit e huaj, nëpërmjet Shërbimit të Birësimeve Ndërshtetërore. Burime nga Komiteti Shqiptar i Birësimit sqarojnë për gazetën “Shqip” se interesimi i aplikantëve për të adoptuar fëmijë është relativisht i konsiderueshëm, ndërsa shifrat që raportohen në faqen zyrtare të Gjykatës së Rrethit Tiranë tregojnë të kundërtën. Sipas të dhënave nga ky sajt, rezulton se në vitin 2010 ka pasur 19 kërkesa për birësim; në 2011-ën, 2; në 2012-ën, 24; ndërsa në vitin 2013, 13 kërkesa gjithsej, nga të cilat 9 janë pranuar ndërsa 4 janë pushuar. Mësohet se shtetasit që kërkojnë të birësojnë 1 apo më shumë fëmijë nuk janë vetëm shqiptarë, por edhe të huaj. Madje së fundmi vërehet një tendencë në rritje e shtetasve kanadezë e francezë, të cilët nëpërmjet një kërkese për birësim i drejtohen Gjykatës së Rrethit Tiranë. Gjendja financiare, sociale dhe vlerësimet e raporteve sociale dhe shëndetësore janë disa prej kushteve që duhet të plotësojnë kandidatët për prindër. Mirëpo, kaq nuk mjafton, të interesuarit duhet të paguajnë tarifën e përcaktuar në udhëzimin e përbashkët të Ministrisë së Financave dhe asaj të Drejtësisë, e cila varion sipas kombësisë, nga 20 mijë lekë në 1 mijë dollarë.

Një shtetas shqiptar duhet të paguajë shumën prej 20 mijë lekësh, ndërkohë që për birësimin me pëlqim është përcaktuar tarifa prej 10 mijë lekësh. Ndërsa shtetasit e huaj do të paguajnë më shumë sesa shqiptarët, e njëjta praktikë do të ndodhë edhe për shtetasit e Bashkimit Europian ose për ata që nuk janë pjesë e saj. Për një shtetas që vjen nga Bashkimi Europian, tarifa e përcaktuar është 700 euro, ndërsa për shtetasit që vijnë nga jashtë shteteve të BE-së shërbimi do të kushtojë 1000 dollarë. Sipas udhëzimit të dy ministrive, këto tarifa do të paguhen vetëm në momentin që të interesuarve u është miratuar kërkesa për birësim.

Procedurat

Fillimisht çifti duhet t’i drejtohet me një kërkesë Komitetit Shqiptar të Birësimeve ku parashtron arsyet konkrete që e shtyjnë për të birësuar një fëmijë. Pasi njihet dhe me dokumentacionin e nevojshëm, prindi apo prindërit birësues janë të detyruar të ndjekin procedurat e këshillimit apo procedurat e investigimit që bëjnë specialistët e këtij komiteti lidhur me evidentimin e mundësive që ka ky çift apo ky person për të birësuar fëmijë. Procedura e aplikimit, që në momentin që paraqitet dokumentacioni deri në momentin që merret pjesë në seancat këshillimore, sipas përfaqësuesve të këtij institucioni shkon 3 muaj. Më pas personi vendoset në listën e pritjes derisa t’i propozohet një fëmijë. Ndërsa për sa i përket kësaj faze, nuk ka një përcaktim të kohëzgjatjes, sepse mund të jetë një periudhë që mund të mos ketë fëmijë të braktisur dhe kjo i detyron prindërit të presin derisa të ketë një fëmijë.

Dokumentacioni

Dokumentet që çifti paraqet në Komitetin Shqiptar të Birësimeve për të bërë kërkesën e birësimit janë: certifikatë personale, certifikatë martese, dokument mjekësor që tregon që ai është i aftë për të birësuar fëmijë, por nga ana tjetër që nuk ka kaluar sëmundje të rënda që mund të krijojnë probleme në mjedisin e edukimit të një fëmije, analizat e AIDS-it dhe Hepatitit B. Gjithashtu, paraqiten të dhëna lidhur me aftësitë ekonomike për të mbajtur familjen, por edhe për të rritur dhe edukuar fëmijën. Kjo do të thotë që personi duhet të jetë në marrëdhënie pune, të paguajë sigurimet shoqërore, si dhe një dokument që konfirmon faktin që ky person disponon një pronë, standarde dhe kushte për të garantuar një rritje dhe edukim. Po ashtu duhen dokumente që tregojnë të ardhurat që mund të ketë ai nga qiratë apo aktivitete të ndryshme. Kandidatët duhet të paraqesin dëshminë e penalitetit, një deklaratë noteriale ku ai mban përgjegjësi mbi deklarimet që bën, ku tregon arsimin që ka pasur, mundësitë që ai ka, vendin e punës ku punon, të ardhurat që disponon, sjelljen e tij. Së fundmi duhet edhe një dokument nga lagjja, nga komuna apo bashkia ku ai, ajo, apo çifti banon, ku paraqitet fakti që këta janë persona që disponojnë një vlerësim të lartë moral dhe nuk krijojnë probleme apo shqetësime për shoqërinë ku ata jetojnë.

 

Prindërit adoptues të një fëmije

shqiptar, aplikojnë për të dytin

Personat me inicialet F. P dhe F. P, prindër adoptues të një djali shqiptar, që prej 2006-s, i kanë kërkuar për herë të dytë Gjykatës së Tiranës të drejtën për të birësuar fëmijë. Ata janë shtetas kanadezë, me prejardhje italiane. Në kushtet e pamundësisë për të pasur një fëmijë në rrugë natyrore biologjike (për shkak se të dy kërkuesit vuajnë nga steriliteti), e me dëshirën e madhe për të pasur fëmijë e familje të madhe, kërkuesit kanë aplikuar për të birësuar një fëmijë të dytë tashmë. Sipas dy raporteve mjekësore të lëshuara për secilin nga kërkuesit, rezulton se ata gëzojnë shëndet të mirë, nuk vuajnë nga ndonjë sëmundje e transmetueshme, infektive dhe e pashërueshme dhe nuk ekzistojnë faktorë mendorë ose fizikë që do të pengonin në ndonjë mënyrë aftësitë e tyre për t’u kujdesur si prindër. Mjekët thonë: “Ky aplikant është shumë i përshtatshëm për një birësim. Ai tashmë e ka birësuar një fëmijë me sukses. Unë do ta rekomandoja me forcë atë si prind. Kjo paciente e ka birësuar një fëmijë, ajo është një nënë shumë e kujdesshme dhe e dashur”. Gjykata ka vendosur pranimin e kërkesës.

 

Gjykata e Tiranës pranon kërkesën

për birësim të bashkëshortëve kanadezë

Kërkuesit G. F dhe M. L janë bashkëshortë, shtetas kanadezë, të cilët i kanë kërkuar Gjykatës së Rrethit Tiranë, të drejtën për të birësuar fëmijë në Shqipëri. Sipas dy raporteve mjekësore të lëshuara për secilin nga kërkuesit, rezulton se ata gëzojnë shëndet të mirë, nuk vuajnë nga ndonjë sëmundje e transmetueshme, infektive dhe e pashërueshme dhe nuk ekzistojnë faktorë mendorë ose fizikë që do të pengonin në ndonjë mënyrë aftësitë e tyre për t’u kujdesur si prindër. Mjekët thonë: “M dhe bashkëshorti i saj do të jenë prindër birësues të mrekullueshëm dhe do të krijojnë një mjedis të qëndrueshëm për edukimin dhe rritjen e një fëmije”. Në seancë gjyqësore të dy kërkuesit deklaruan se kanë dëshiruar shumë të kenë një fëmijë. Ata janë shumë të lumtur dhe ndihen të gatshëm për të birësuar fëmijën që i ka caktuar Komiteti Shqiptar i Birësimit. Ata deklaruan se i kanë të gjitha mundësitë ekonomike për të mirërritur fëmijën dhe për t’i siguruar asaj një jetë të qetë, me dashuri dhe me mirëqenie. Gjithashtu, ata pohuan se kanë një banesë të mjaftueshme, me kushte shumë të mira për ta rritur atë. Gjykata vendosi pranimin e kërkesës për birësim.

 

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.