Bilanci i një ditë/ Dy gra të vrara, një atentat në Tiranë, tre viktima nga aksidentet dhe Muli ka gojë e flet

Postuar në 15 Shtator, 2013 04:16

Flamur Noka u shfaq sërish përpara shqiptarëve për të thënë se Sajmir Tahiri nuk mund të jetë Ministër i Brendshëm.

Është akoma në detyrë përsa kohë Sajmir Tahiri nuk është votuar nga parlamenti.

Por sot, edhe pse duket si një ditë e qetë, krimi ka vazhduar të mbajë nën kontroll vendin, ndërkohë që Flamur Noka do hyjë në histori si ministri me bilancin më të tmerrshëm sa i përket rendit.

Kështu, një grua është gjetur e vrarë brenda një garazhi, jashtë makinës së saj.

Ngjarja ka ndodhur në Durrës, kurse viktima është Mira Dede, 60 vjeç, e identifikuar si nëna e Ervis Dedes, i vrarë gjatë një atentati tek Shkëmbi i Kavajës në qershor të vitit të shkuar.

Policia dyshon se vrasja mund të jetë bërë për motive hakmarrje.

Gruaja është goditur me mjete të forta dhe ka plagë të shumta në kokë.

Pak më herët një burrë vrau gruan e saj brenda në kasollen e bagëtive.

Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Derven të Krujës.

Liljana Menga mbeti viktimë e të shoqit, Gjin Menga, duke lënë pas katër fëmijë.

Ajo u qëllua me çifte dhe me kallashnikov, në një shpërthim barbarie nga i shoqi, që më pas u vetëdorëzua në polici.

Dyshimet janë se krimi ka ndodhur për motive xhelozie.

Ndërsa në orët e para të mëngjesit u shënua një atentat në zonën e Xhamllikut në Tiranë.

Krimi ndodhi rreth orës 8:30 dhe i plagosur mbeti 54 vjeçari Bedri Dulla.

Ai u qëllua me armë sapo doli nga shtëpia, duke marrë dy plumba, një në bark dhe një kockat e legenit.

Dulla është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia thotë se katër muaj më parë ai ka plagosur një person.

Megjithatë policia ende nuk ka të dhëna të sakta për autorin.

Kësaj dite ‘të vakët’ me krime i shtohen edhe tre kosovarë që humbën jetën në ‘të sigurtën’ Rrugë të Kombit, pak përpara mbërritjes në doganë, në një aks që ka marrë disa jetë njerëzish deri më tani për shkak të standardit skandaloz të sigurisë./ep

 

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.