Biberajt i refuzohet dosja e kandidimit për kreun e PD-së

Postuar në 03 Korrik, 2013 09:36

Aleksandër Biberaj mbërriti në orët e para të mëngjesit me një dosje në dorë në selinë e Partisë Demokratike.

Qëllimi ishte që, ashtu siç është lajmëruar, të dorëzonte kandidaturën e tij për të drejtuar Partinë Demokratike.

Por dosja e tij është refuzuar për shkak të anëtarësisë në PD. Megjithatë Biberaj tha se mbetet me shpresë se kryesia do e pranojë kandidaturën e tij, duke shtuar se ai është akoma anëtar i Partisë Demokratike.

“Administrata ka marrë urdhër për të mos pranuar dosjen time. Por unë do e dërgoj këtë dosje me postë. I bëj thirrje kreut të PD që të lejojë një garë të hapur,” tha Biberaj.

Biberaj tha se ai e ka mbyllur kapitullin me Frymën e Re Demokratike, ndërsa theksoi se nuk ka bashkëpunuar kurrë me të majtën.

“Jam larguar nga FRD dhe nuk jam larguar asnjëherë nga PD. Nuk kemi pasur tesera në FRD, dhe unë do vijoj të kontribuoj në PD. Në momentin që unë nuk kam tërhequr anëtarësimin, vazhdoj të jem në PD. Dëshiroj të futem në garë, nëse realisht do të këtë garë, dhe mendoj se kjo është reale. Nuk kam sulmuar PD, por kam kritikuar ato që nuk më kanë pëlqyer në qeverisje,” tha Biberaj.

Biberaj shtoi se nëse do të ishin dëgjuar vërejtjet e tij, PD nuk do kishte këtë rezultat në zgjedhjet e 23 qershorit.

Biberaj tha se tani është në dorë të kryesisë që të vendosë për kandidaturën e tij.

Biberaj theksoi se dëshiron të japë kontributin e tij në kushtet e vështira në të cilat ndodhet sot PD-ja dhe demokratët./ep

  TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.