Betonohet Gjiri i Jalit, plasin ndërtimet pa leje

Postuar në 17 Qershor, 2013 03:37

-Plazhi i bukur i Gjirit të Jalit, një nga diamantet e bregdetit të Himarës, mund të mos jetë më i tillë pas disa muajsh. Individë dhe firma ndërtimi po e çojnë plazhin drejt prishjes totale. Prej dy muajsh po shemben shkëmbinjtë e gjirit dhe shpati i kodrës mbi Jalë, që prish, jo vetëm panoramën, por edhe eko-sistemi në Jalë. Ndërkaq, banorët e Vunoit, njëkohësisht dhe pronarë të ligjshëm të këtyre pronave në Jali, denoncojnë qeverinë dhe mafien e tokave në Bregdet se, përditë po u zaptojnë pronat.

Denoncimi

Sipas banorëve, këta individë kanë prerë me qindra rrënjë ullinj shekullorë nga 100 deri në 200 vjeçarë, pronë e tyre. Pronari i një prone në gjirin e Jalit, Niko Mëhilli, në një interviste për ‘Shekullin’, ka denoncuar se pas ndërtimit pa leje dhe prishjes së gjirit është biznesmeni Alban Xhillari, i cili e ka kërcënuar disa herë. Trualli ku biznesmeni, Alban Xhillari dhe kompania e tij, sipas banorëve, po ndërtojnë pa leje, është një pronë me dy “certifikata pronësie”. Certifikata e parë, truall dhe ku janë vendosur dy kabinat e pushimit të kësaj kompanie, është pronë e ligjshme e Niko Mëhillit, i cili e ka marrë këtë pronë me ligjin 7501, por që e ka patur të vetën edhe para reformës agrare të vitit 1946, siç pohon ai vet. Certifikata e dytë, është marrë nga individë të cilët, bën fjalë për një truall të dhënë nga Bashkia Himarë, gjatë kohës që drejtohej nga Vasil Bollano, sot kreu i Omonia-s. Kjo procedurë, sipas ekspertëve në këtë bashki, por dhe kryeplakut të fshatit Vuno, është e kundërligjshme, është bërë me dy-tre dëshmitarë të rremë.

Udhëtimi

Pasi morëm denoncimin nga banori i fshatit Vuno dhe pronari i tokës, Niko Mëhilli, vendosëm të nisemi në drejtim të Himarës dhe më pas drejt Gjirit të Jalit. Mbërritëm në Himarë në orët e para të pasdites ku morëm disa informacione të vlefshme si nga banorët dhe nga drejtuesit e Bashkisë. Në orën 18.30 mbërritëm tek gjiri. Pa arritur poshtë në gji, dalloheshin qartë kamionët, matrapikët dhe bulldozerët që punonin me një intensitet të madh. Goditjet e matrapikut dhe bulldozerëve mbi shkëmbinj dhe në ambjentin përreth kishin krijuar një re të madhe, të kuqe, e cila ishte ngjitur deri sipër në ullishten e Jalit. Pasi bëmë disa shkrepje me aparatin fotografik të Gjirit të Jalit dhe vendit të punimeve, të ndërtimit pa leje, me ekipin vendosëm të shkonim më nga afër, pra të zbrisnim në plazhin e ‘Folisë’. Kur zbritëm në plazh, i them shoferit, “afrohu tek objekti të shikojmë si do reagojnë”, dhe ai drejtoi makinën djathtas gjirit drejt objektit të ndërtimit, por menjëherë përpara na u hodh një djalë rreth të 30-ve me një bluzë të verdhë me të zezë, i cili na ndaloi në vend, me një dialekt “tironsi”. E pyeta se a mund të kalonim dhe shkonim drejt objektit që po ndërtohej me qëllim që të shikonim më nga afër ndërtimin, por nuk mora përgjigje. Më pyet menjëherë dhe më thotë, “çfarë jeni ju, kalimtarë?”. Po, i thashë. Më kthehet dhe më thotë, “nuk lejohet, është pronë private dhe tani po punohet me fadroma e kamionë intensivisht, kështu që nuk mund të kalohet nga ajo anë”. Rikthehemi mbi qafë, sipër Jalit dhe vendosim të drejtohemi gjoja për të bërë foto nga ana tjetër e gjiut, nga ana veri-perëndimore e objektit të kompanisë nga Tirana, duke shfrytëzuar si justifikim perëndimin e bukur të diellit në ato momente. Sapo mbërrijmë në anën tjetër të objektit në ndërtim, dy punëtorë të kompanisë, gjithashtu nga Tirana, na u drejtuan duke na thënë se nuk lejohet të hyjmë, dhe se çfarë kërkonim ne aty. Megjithatë i mbushëm mendjen që të dilnim disa foto private, meqë vinim nga larg dhe na pëlqente vendi. Kështu, ata na lanë, por duke na mbajtur nën vëzhgim. Prania jonë i tronditi disi drejtuesit e punimeve në objekt duke bërë që të viheshin në lëvizje.

Ndjekja nga drejtuesit e punimeve

Pasi shkreëm disa foto fshehtazi, u nisëm për tu kthyer në Himarë. Në ngjitje, në kthesën e parë të Jalit, shoferi na thotë se, nga mbrapa nesh po afrohet një makinë Wolkswagen e cila kishte ndezur dhe dritat dhe po na ndiqte nga pas. I them, mos e jepni veten dhe mos u provokoni. Ndjekja e tyre dhe presioni i vazhdueshëm ndaj makinës tonë ka vijuar për rreth 15 minuta, por shoferi ynë e tradhtoi veten. Na u afruan disa herë shumë afër, ngjitur me pjesën e prapme. Me të mbërritur tek kthesa e Livadhit, pak metra larg hyrjes tonë në Himarë, ndjekja e tyre përfundoi,

 Intervista/ Niko Mëhilli/Pronar i tokës në Jali

 

“Alban Xhillari më ka zaptuar pronën në Gjirin e Jalit”

NIko Mëhilli, banor i Vunoit dhe pronari i tokës në Gjirin e Jalit, ku po punohet natë e ditë për të ndërtuar një kampus pushimi, ka denoncuar për gazetën ‘Shekulli’ se personi që i ka marrë pronën dhe tokën është biznesmeni Alban Xhillari nga Tirana. Sipas tij, në Jali është ulur këmbëkryq mafia e tokave dhe po grabisin, jo vetëm pronat e banorëve të zonës, por gjithë Bregdetin.

Si është e vërteta e pronës suaj, z. Mëhilli?

Po më kanë zaptuar pronën 1800 metra katrorë ullishte. Më janë prerë në tokën time ullinj 100-200 vjeçarë dhe janë bërë ndërtime të paligjshme. Jo një ndërtim, por disa kabina dhe pothuajse 200 metra katrorë pronë ullishte ka dalë jashtë përdorimit. Ky ndërtim bëhet pa leje dhe pa asnjë dokument dhe njëkohësisht duke e ditur që është dhe zonë e gjelbër. Nuk ka ndërtime në atë zonë.

 Konkretisht, juve jua kanë marrë pronën tuaj me forcë?

Po. Vetëm me forcë. Jam në proces gjyqësor me ta, prej 8 muaj me ta. Edhe pse çështja është në gjykatë dhe në proces gjyqsor atje vazhdojnë punimet.

Tek punimet që po bëhen në Gjirin e Jalit dhe shpatit të kodrës në këtë gji, e gjitha ajo tokë është e juaja apo dhe e ndonjë tjetri?

Nuk është e imja, është e familjes sime, ç’rëndësi ka kjo?! Jemi në gjyq me ta. Deri më sot avokati nuk ka sjellë asnjë lloj letre dhe asnjë lloj pretendimi.

Kush janë këta individë që ju kanë rrëmbyer pronën, z. Mëhilli?

Është kompania e Alban Xhillarit. Kanë rreth një vit që e kanë zaptuar tonë time.

A është vënë në dijeni dhe çfarë ka bërë për të ndërprerë këtë ndërtim pa leje, Bashkia e Himarës?

Dëgjoni, në Bashkinë e Himarës kam shkuar disa herë dhe më kanë thënë se s’kemi çfarë tu bëjmë pasi kaq fuqi kemi. Disa herë kam sjellë Policinë e Ndërtimit në Jali dhe Bashkinë e Himarës dhe janë bërë dhe procesverbale të procedimit, por e keqja më e madhe është kur këto procesverbale janë kërkuar nga Gjykata që merret me çështjen del që një pjesë ka humbur, nuk gjenden.

Sipas kryeplakut të Vunoit dhe drejtorisë së shfrytëzimit të tokës në Bashkinë e Himarës, kompania që ndërton në Jali, një pjesë të tokës e ka siguruar me disa dokumente fals. Kjo tokë i është dhënë me ligjin 7501 një individi tjetër dhe ky ia ka shitur kompanisë në fjalë, a është e vërtetë kjo dhe sa qendron?

Unë sot po e dëgjoj një gjë të tillë, sepse dhe në proceset gjyqsore që kam pasur deri tani nuk është sjellë nga ata asnjë lloj dokumenti. Fjalë të tilla janë hapur nga ata qëllimisht me qëllim që të vazhdonin punimet në Gjirin e Jalit.

A i jeni drejtuar institucioneve kompetente për këtë çështje, Prokurorisë, Qeverisë, etj?

Kam shkuar tek Prefekti në Vlorë dhe i jam drejtuar Bashkisë së Himarës, por ku të vete më? Më thonë të gjithë, dhe më përpara, që “shiko gjeje llafin me ta”. Unë s`kam ardhur iu thashë për të gjetur llafin me ta. Sepse po të ishte për të gjetë llafin me ta nuk ishte nevoja të vija këtu tek ju, u thashë.

Pasi i keni konsumuar të gjitha instancat dhe proceset, si do të veproni më tej z. Mëhilli?

Unë kam vetëm një gjë, do të pres vendimin e Gjykatës, përfundimtar dhe më pas do të na detyrojnë të vritemi, sepse ndryshe nuk zgjidhet.

Keni shkuar të flisni me këtë kompani?

Unë kam vajtur dhe kam folur me ta, më kanë thirrur vetë nja dy herë dhe iu kam thënë që, ti më ke pushtuar mua, çfarë bisedimesh kërkon. Madje më ka kërcënuar, duke më thënë që unë dua dhe pjesën tjetër që ke ti, në një marrëveshje.

Ju kanë kërcënuar fizikisht dhe kush? A e njihni personin?

Ja këtë që ju thashë. Po, më kanë kërcënuar. Nuk ka rëndësi të merrem me këto gjëra, sepse do të thotë që nuk e kam kërcënuar, pasi kemi qenë në bisedë bashkë me të. Nuk ka rëndësi që të thuash një gjë të tillë.

Kjo gjë po ndodh vetëm me pronën tuaj, apo ka edhe raste të tjera në Jali? Kush i mbështet këta persona?

Për mua, kjo është mafja e tokave, ka filluar që më përpara. Sepse, edhe në qoftë se kanë blerë diçka, është i gjithë Jali në këtë gjendje sot. Dhe nëse kanë blerë 3000 metra apo 5000 metra, ata kanë pushtuar më pas 15 mijë metra dhe 25 mijë metra. Për mua kjo është thjesht mafia e tokave, se kush i mbështet këta persona nuk e di, nuk mund të flasë për një gjë të tillë.

A mund të gjendet një zgjidhje në këtë problem, si mendoni?

Ju thashë dhe më lart, mua më duket e pabesueshme.

Tan Bala/Kryeplaku i Vunoit

 

Po kthehet në gërmadhë dhe pluhur

 Kryeplaku i fshatit Vuno, Tan Bala, fshat që ka nën iuridiksion dhe Gjirin e Jalit, ka deklaruar për gazetën ‘Shekulli’ se, shteti, prokuroria dhe strukturat e tjera nuk po reagojnë që të pezullojnë punimet dhe ndërtimet pa leje në Gjirin e Jalit. Sipas Balës, plazhi është drejt shkatërrimit nga individë të papërgjegjshëm. Kreu i fshatit Vuno, ndër të tjera tha se: “Aty në Jali, prej dy vitesh po zhvillohen disa gërmime nga një kompani që dhe ne nuk jemi në dijeni se kush është. Kemi njoftuar Bashkinë e Himarës disa herë, kanë shkuar në vendndodhje, kanë bërë verifikime dhe procesverbale, është bërë pezullim punimesh dhe ka vijuar deri në gjobë subjektit që ndërton. Edhe pse është proceduar, ata nuk i përgjigjen urdhrave të bashkisë dhe është e pamundur t’i ndalosh ata. Sa i përket tokës, ata pretendojnë që e kanë blerë nga ish-pronari, por unë nuk kam parë asnjë dokument. Sipas fjalëve që janë përhapur ai që ua ka shitur tokën është nga Vunoi. Ndërsa kompania që ndërton është nga Tirana, një farë Xhillari, Xhillari. Edhe pse bashkia ka ndërmarrë ca hapa, nuk ka ndryshuar asgjë. Ata kanë rreth një muaj ose dy që po punojnë fuqishëm, nuk i di arsyet se përse tani, por ata kanë prishur Gjirin e Jalit ku kanë shkatëruar shkëmbinjtë dhe brinjët e kodrës së Jalit. Bashkia thotë që jemi të pafuqishëm në vendimmarrje, madje është bërë dhe denoncim në Prokurori dhe nuk është bërë asgjë. Është shumë shqetësuese gjendja dhe shkatërrimi i Gjirit të Jalit, është e pamundur të rrish në gji. Tani është një gërmadhë e madhe dhe një pluhur, një skandal i madh. Unë jam kryeplaku i Vunoit dhe dashur pa dashur gjithë përgjegjësia bie mbi mua. Madje ka pasur dhe provokime nga kompania që ndërton”, deklaroi kryeplaku i Vunoit.    

Edmond Blito/Policia Bashkiake Himarë

“I kemi pezulluar dhe gjobitur, por s’ndalen”

 Drejtori i Policisë Bashkiake Himarë, Edmond Blito, gjatë një prononcimi për gazetën ‘Shekulli’, mbi çështjen e ndërtimeve të paligjshme në Gjirin e Jalit, ka deklaruar se Policia Bashkiake nuk është mbështetur dhe ndihmuar nga Inspektorati i Ndërtimit Urban Kombëtar, nga Drejtoria e Vlorës, për të goditur dhe prishur ndërtimin pa leje të një kompanie në Jali. Drejtori i Policisë Bashkiake, Blito, ndër të tjera tha se, “ligji i Urbanistikës ka qenë ndryshe kur ka kapur këta individë që ndërtojnë, asokohe jepeshin disa leje zhvillimi që përsëriteshin çdo vit. Aty ku këta janë vendosur në rërë, flasim tek ‘Folia’, këta kanë marrë këtë lejen e zhvillimit me të drejtë rinovimi. Që i bie të jetë leje sekondare, pra vetëm për sezonin dhe në shtator duhet të hiqeshin dhe pastroheshin. Pjesa poshtë, ku është gjithë shqetësimi, ne normalisht nuk kishim më mundësi dhënie leje, sepse ligji i ri për Urbanistikën na i ndërpreu. Problemi është se ata pas ‘Folisë’ e në vazhdim, me disa blerje që kanë bërë, me disa historira të tyre, kanë arritur tek pjesa poshtë tek Gërbi. Aty personi që e ka pasur e kishte me qira për vete, ia kish marrë të zotit dhe me një marrëveshje që, një dreq e merr vesh sesi është bërë me ta, ata ndërhynë forcërisht he nisën ndërtimin e kësaj pjese. Ne kemi ndërhyrë shumë herë. Jemi penguar nga krahu i tyre, kemi hasur në rezistencën e tyre. Por, kemi bërë procedurat dhe u kemi çuar vendime prishjesh, janë të gjitha të dokumentuara, madje deri në gjobë. Ligji e do që çdo individë të shfrytëzojë nga 200 metra2 dhe nuk mund të kalohet kjo, kështu që ata procedonin me emra të ndryshëm. Madje kanë bërë dhe pagesat për çdo verë, por mesa unë di, janë dhe debitorë disa, sa i përket pjesës së shfrytëzimit të truallit në sezon. Ka dalë një vendim prishjeje për këta individë, që duhet të ekzekutohej nga INUK-u dhe është futur 2-3 herë atje për ta prishur, por kanalet gjithmonë ekzistojnë. Unë nuk mund të aludoj dot se çfarë ndodh. Kemi kërkuar ndihmën e tyre për t’i goditur, por nuk e kemi pasur mbështetjen e tyre, ky është një kanal i mbyllur për ne. Mbështetja e INUK-ut ka qenë zero ndaj nesh”, tha Drejtori i Policisë Bashkiake Himarë.

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.