Betohen deputetët, Ilir Meta zgjidhet në krye të Parlamentit me 91 vota

Postuar në 10 Shtator, 2013 08:24

(E përditësuar)  140 deputetët e dal nga zgjedhjet e 23 qershorit. Në nisje të seancën plenare, të drejtuar sërish nga Namik Dokle, deputeti Armando Subashi lexoi konkluzionet e Komisionit të verifikimit të mandateve. Sipas tij komisioni nuk konstatoi asnjë pavlefshmëri gjatë verifikimit të mandateve. Ai ka nënvizuar vetëm rastin e Vasil Bicajt, i cili ka deklaruar se refuzon të bëjë betimin duke hequr dorë nga mandati i deputetit.

“Në lidhje me këtë rast, i takon kryesuesit të seancës të veprojë në bazë të rregullores së Kuvendit”,- tha Subashi.  Ndërkohë u vendos që vendin e Vasil Bicajt do ta zërë kandidati pasardhës në listën e PD-së për Lezhën, Mhill Fufi.

Ndërkohë pritet që të bëhet votimi për kreun e Kuvendit, post për të cilin është propozuar kreu i LSI-së, Ilir Meta. Një grup deputetësh, të kryesuar nga kryesocialisti Edi Rama kanë dorëzuar një kërkesë për emërimin e Metë2s në postin e mbajtur nga Jozefina Topalli.

Me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, Dokle do t’i lirojë atij vendin dhe më pas do të jetë ky kryetar që, pasi të mbajë fjalën e rastit, të njoftojë edhe datën dhe orën e mbledhjes së Kuvendit, kur kryeministri do të bëjë publik programin e qeverisë së re.

Në Kuvendin e ri, koalicioni i majtë ka 83 mandate, nga të cilat, PS: 65, LSI: 16, PBDNJ: 1, PKD: 1 mandat, ndërsa të djathët kanë 57 mandate, nga të cilat PD: 50, PR: 3, PDIU: 4: mandate.

 

Ora 12:45-  Ilir Meta zëvendëson Topallin, merr 8 vota nga të djathtët

Ashtu si dhe pritej Ilir Meta është zgjedhur Kryetar i ri i Kuvendit të Shqipërisë. Në votim morrën pjesë 137 deputetë, nga të cilët 91 votuan pro kandidaturës së tij. Ndërkohë 45 deputetë votuan kundër dhe një ka abstenuar.

Mesa duket Meta ka mundur “të rrëmbejë” 8 vota nga kampi i të djathtëve. Nuk dihet ende nëse votat janë rrjedhje brenda demokratëve, apo aleatët kanë votuar ndryshe qëndrimit të PD-së.

 

Meta: Të lëmë pas frymën konfliktuale

Kryetari i ri i Kuvendit Ilir Meta në fjalën e parë në detyrën e re deklaroi se ky Kuvend duhet të përfaqësojë atë që është pritshmëria e shqiptarëve, përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien, serioziteti.

“Lënia pas e frymës konfliktuale. Jemi këtu për të bërë detyrën tonë, të japim llogari se çfarë ligjesh do të miratojmë dhe si do ti zbatojmë ato për ta bërë jetën e qytetarëve më të mirë. Jam i bindur se ky kuvend i ri do të ketë më shumë alternativa dhe më shumë zgjidhje. Këtë detyrë e bën imperative edhe gjendja jo e mirë ekonomike, papunësia dhe varfëria të cilat janë kundërshtarët e vërtetë dhe sfidat tona të përbashkëta që duhen fituar. Matësi më i mirë dhe më i sigurt i çdo politike dhe çdo kontributi të secilit prej nesh është përgjigja për pyetjen se sa vende pune hapë sot dhe sa shqiptarë e kaluan pragun e varfërisë”, u shpreh Meta. Ai vlerësoi se Kuvendin e ri e presin reforma të rëndësishme për funksionim më efikas të institucioneve dhe për të rritur pavarësinë dhe efikasitetin e tyre. “Rrugëtimi drejt Evropës së bashkuar nuk është sipërmarrje e një mazhorance por e gjithë politikës dhe gjitha institucioneve e opozitës. Do përkujdesemi për çdo qytetar nga Vermoshi në Konispol. Përkujdesja jonë do të rritet edhe për ata qytetarë që jetojnë jashtë kufijve sepse ata janë pjesë e botës sonë shqiptare dhe përkujdesja ndaj tyre është detyrim kushtetues”, u shpreh Meta.

Në fund të fjalimit si kryetari i ri i Parlamentit, Ilir Meta thirri Parlamentin të vijojë seancën e radhues ditën e mërkurë me qëllim caktimin e rendit të ditës. “Të mblidhet nesër një seancë e re dhe paraprakisht mbledhje kryetarët e grupeve parlamentarë për të vijuar procedurën sesi do të vijohet me punimet e parlamentit sepse kemi bërë pushime më shumë se nevojiteshin dhe kjo jo për fajin tonë”, tha Meta.

Ambasadori Sequi: Besim se Meta do drejtojë në mënyrë të urtë dhe efikase

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi ka vlerësuar zgjedhjen e Ilir Metës në krye të Kuvendit të Shqipërisë. Në një prononcim për mediat pas procesit të votimit, z.Sequi ka shprehur besimin se Meta do të dijë të drejtojë në mënyrë të urtë dhe efikase. “Dua të theksoj rëndësinë e numrave që dolën. Është ë rëndësishme pasi ashtu siç kemi thënë, parlamenti është kyç për demokracinë. Ka rol tepër kyç në sistemin e kontrolleve dhe balancave.

Gjatë fjalës së tij mbajta shënime,sepse mendoja se janë tepër të rëndësishme. Nënvizova disa fjalë: psh. Integrimi i Shqipërisë ecën paralelisht me integrimin mes opozitës dhe mazhorancës.

Në fakt ne shpresojmë të shohim më pak konfliktualitet dhe më tepër zgjidhje. Zoti Meta përdori disa fjalë kyçe:

Reformë, transparencë, sipërmarrje të përbashkët, gjithëpërfshirje, zbatueshmërinë e ligjeve, zbatimi i tyre është më i rëndësishme. Isha shumë i lumtur që iu referuar shoqërisë civile dhe po vizioni i tij për bashkëpunimin rajonal. Urimet më të mira për Metën”, ka thënë Sequi. Me tej ambasadori ka shtuar se klasa politike shqiptare jo vetëm duhet të mbajë shënime, por ti bëjë gjërat.

 

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.