Beteja PD-PS, stili i Obamës kundër Tony Blair

Ish-këshilltari i Tony Blair, Alastair Campbell merr përsipër fushatën e Partisë Socialiste. Tre ekspertët amerikanë të “Podesta Group” i japin betejës së tretë të Berishës, ngjyra nga fushata e Obamës. Si drejtohen shtabet elektorale dhe stërvitja e fytyrave të reja që do të dominojnë debatet publike
Tiranë Pas përballjes frontale të enjten e dy javëve më parë, socialistët dhe demokratët i janë rikthyer fazës së “nxehjes”. Debatet televizive janë lënë stand-by, ndërsa shtabet elektorale në të dyja kampet po stërvitin figurat që do të dominojnë debatin publik, që me gjasë do të rikthehet në javët e fundit të fushatës. Sprova e parë nxori në ekrane artilerinë e rëndë: ministrat Bode, Olldashi, Bregu e Ruli kundër Beqjes, Tahirit, Kodhelit e Veliajt. Edhe pse na ndajnë veçse tre muaj nga dita e zgjedhjeve, të dyja palët duket se kanë rënë dakord se nuk ka ardhur ende koha për duele të forta. “Është gjykuar se debatet ishin të parakohshme. Ende nuk është marrë një vendim për vazhdimësinë ose jo të tyre në këtë fazë”,-tha një burim nga mazhoranca për MAPO-n. Ndërprerjen e debateve ta konfirmojnë edhe njerëz të opozitës, të cilët ia faturojnë këtë tërheqje kundërshtarëve të tyre. Sido që të shitet, kjo tërheqje konsensuale ka nga pas edhe bekimin e strategjistëve të huaj të dy kampeve, që deri në një përballje të dytë, kanë shumëçka për të kuruar sa i përket imazhit dhe përmbajtjes.
Blair vs Obama style
Guruja i PR-it, Alastair Campbell mbërriti pak javë më parë në Tiranë me dy misione: promovimin e librit të tij dhe përfshirjen në shtabin elektoral të Partisë Socialiste. Edhe pse nuk e pohoi publikisht, Campbell tha se ishte takuar me Edi Ramën dhe Endri Fugën dhe se programi i Partisë Socialiste ishte interesant për të. “Mendoj se pashë diçka interesante sesi po zhvillohej programi i Partisë Socialiste, sepse mendoj se Edi Rama është admirues i politikës së Tony Blair-it dhe mënyrën sesi e ka modernizuar partinë e tij”,-tha asokohe Campbell. Burimet pranë PS-së thonë se ish-këshilltari i Blair është i përfshirë kokë e këmbë në fushatën elektorale të socialistëve. Në rrethin e tij të ngushtë, Edi Rama e ka përshkruar Campbell si spin-doctorin më të mirë me të cilin ka bashkëpunuar deri më tani. Mësohet se Campbell ka dorë të lirë në përzgjedhjen e figurave që do të mbajnë peshën më të madhe të komunikimit publik gjatë fushatës, trajnimin e tyre dhe përcaktimin e tezave, mbi të cilat do të ndërtohet “revanshi” socialist. M’anën tjetër, në kampin e Berishës, stili nuk duket fort i ndryshëm. Tre ekspertët amerikanë, të dërguar në Tiranë nga kompania e fushatës së presidentit Obama, “Podesta Group” kujdesen prej kohësh për imazhin e Partisë Demokratike. Burimet pranë selisë blu bëjnë me dije se ekspertët e PR-it, të njëjtët që organizuan edhe fushatën e Bashës, kanë projektuar takimet e stilit town hall të kryeministrit, formën e reagimit ndaj akuzave politike dhe disa prej tezave në këtë betejë për mandatin e tretë të PD-së. Kohët e fundit mësohet se ekspertët amerikanë kanë marrë përsipër edhe këshillimin e figurave kryesore të PD për të qenë aktivë në fushatë përmes reagimeve të tyre edhe në rrjetin social Facebook.
Fytyrat e reja PS-PD
Nën udhëheqjen e strategjistëve të huaj, si Partia Demokratike ashtu edhe ajo Socialiste gjenden në fazën e përzgjedhjes së njerëzve që do të përdoren si imazh në këtë betejë të rëndësishme elektorale. Të frymëzuara fort nga stilet e Barack Obamës apo Tony Blair, shtabet e PD dhe PS janë në kërkim të fytyrave të freskëta, që arrijnë të dominojnë debatin publik. Partia Demokratike ka përcaktuar tashmë një grup njerëzish që do të marrin pjesë aktivisht në fushatë, ku në vijë të parë mbeten ministrat më të rëndësishëm të kabinetit “Berisha”. Megjithatë, skuadra blu pritet të freskohet edhe me prurjet e reja, që do të gjejnë vend në listën e kandidatëve për deputetë. Në kampin rozë, make-up-i i imazhit ka nisur me Konventën e Programit dhe pritet të thellohet me nxehjen e motorëve të fushatës elektorale. Burimet nga Partia Socialiste thonë se figurat e reja do të dominojnë skenën, ekipin dhe debatet televizive, edhe në tre muajt e mbetur të fushatës elektorale. Pasi në këtë përballje të vështirë elektorale, imazhi vjen i pari. Zgjedhja mbetet mes dy stileve: Obamës apo Tony Blair.
Kush është Alastair Campbell
Alastair Campbell është shkrimtar, komunikues dhe strateg i mirënjohur për rolin e tij si zëdhënës i ish-kryeministrit britanik, Tony Blair. Duke qenë aktiv në politikën e Partisë Laburiste, ai ndan kohën e tij mes të shkruarit, të folurit, mbledhjes së fondeve bamirëse, politikës dhe fushatave. Ai u lind në Yorkshire në 1957, si djalë i një veterineri. Në 1968 familja e tij transferohet në Leicester. Atje Campbell ndoqi shkollën e mesme, ndërsa më vonë, në vitin1975, u regjistrua në Universitetin e Kembrixhit. Ai u diplomua katër vjet më vonë me diplomë në gjuhët moderne. Vendosi të bëhet gazetar dhe u trajnua me Grupin Mirror në gazetat lokale në West Country, para se të bashkohet me Grupin Mirror në 1982. Ai u largua në mesin e viteve 80-të për të punuar në gazetën Eddy Shah Today si redaktor lajmesh, me pas u kthye në Mirror. Campbell u ngrit në përgjegjësi dhe u bë redaktor politik dhe gazetari kryesor i politikës. Më pas ai punoi për një kohë të shkurtër për Today, nën një pronësi të re në vitin 1994, para se të kërkohet nga Tony Blair për të punuar si sekretari i tij i shtypit, kur z. Blair u bë udhëheqësi i Partisë Laburiste. Ai e mbajti këtë detyrë për tre vjet dhe luajti rol kryesor në krijimin e Partisë së Re Laburiste dhe e ktheu Partinë në pushtet. Pas zgjedhjeve të vitit 1997, ai u bë sekretari kryesor i shtypit dhe zëdhënës zyrtar, që kërkonte koordinimin e komunikacionit qeveritar dhe informimin e shtypit dy herë në ditë. Campbell e kreu këtë punë gjatë mandatit të parë të punës, por pasi e ndihmoi z. Blair për një fitore të dytë bindëse zgjedhore, ai u bë Drejtor i Komunikacionit dhe Strategjisë. Ai e mbajti këtë detyrë deri sa dha dorëheqje në shtator të vitit 2003, duke thënë se për të ka qenë një privilegj i madh, por donte te kalonte më shumë kohë me familjen e tij.
MAPO
Add new comment