Berisha: Votoni për të mbrojtur djersën tuaj, Rama do monopole për ushqimet

BILISHT- Kryeministri Sali Berisha premtoi nga Bilishti mbështetje të plotë për fermerët, duke kërkuar prej tyre të votojnë për të mbrojtur prodhimin dhe djersën e tyre.
Duke folur për banorët në një miting elektoral pas inaugurimit të rrugës Miras-Bilisht, Berisha ka akuzuar kreun e PS-së dhe alternativën e tij si rrënuese për fermerët dhe shkatërrim të prodhimit të tyre.
“Me heqjen e TVSH për ushqimet ai do të marrë monopolet, kjo është ëndrra e tyre mbi monopolet e ushqimeve, asnjë vend nuk mund të ketë një ekonomi të qëndrueshme pa prodhim, prodhimi është alfa dhe omega e zhvillimit ekonomik, e mirëqenies, zotëria nuk mendon. Ku ka këtu një pëllëmbë tokë pa punuar, katër herë është rritur sipërfaqja e tokës së punuar këtyre viteve, ju ftoj ju fermerëve të Devollit dhe mbarë Shqipërisë, të mendoni mirë të dy politikat, pastaj të votoni”-tha Berisha.
Berisha premtoi rritjen e rrogave e pensioneve dhe trefishim te granteve per fermeret. “Politika jonë është rritje rrogash 700 dollarë, pensionet tuaja 150 dollarë, rrogë minimale 350 dollarë, sepse qytetarët duhet të kenë fuqi blerëse dhe ne ua krijojmë këtë mundësi, votoni për të mbrojtur djersën tuaj, të prodhoni gjithnjë më shumë e jo t’u konkurrojë qumështi i lopëve me 3 euro në ditë për kokë lope, ata që hedhin farën e grurit me avion, ne u mbrojmë”- tha ai.
PANORAMA
Add new comment