Berisha takon ambasadorin gjerman: Zgjedhjet, kontribut thelbësor për marrjen e statusit në BE

Kryeministri Berisha priti në një takim ambasadorin e ri të Gjermanisë në Tiranë, Helmut Hoffman, të cilit i uroi mirëseardhjen dhe sukses në misionin e tij në Shqipëri.
“Z. Hoffman tha se ishte i befasuar nga bukuria dhe zhvillimi i vendit, ndërsa vlerësoi kontributin e Kryeministrit Berisha në progresin e dukshëm të Shqipërisë, si dhe për kontributin, të cilin ai e quajti të jashtëzakonshëm, që Kryeministri Berisha ka luajtur në forcimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve, si dhe në forcimin e paqes dhe sigurisë në rajon.
Ambasadori Hoffman vlerësoi pozitivisht organizimin e zgjedhjeve nga institucionet përgjegjëse, duke i cilësuar ato të qeta e të rregullta dhe nënvizoi se kjo përbën një kontribut thelbësor në marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria”, thuhet në një njoftim të Kryeministrisë.
“Duke falenderuar ambasadorin Hoffman për vlerësimet pozitive ndaj qeverisë dhe për organizimin e zgjedhjeve të fundit në vend, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen dhe falenderimet në emër të tij, qeverisë dhe popullit shqiptar për mbështetjen e Gjermanisë në proceset e integrimit euro-atlantik, si dhe asistencën e çmuar teknike dhe financiare që Gjermania i ka dhënë Shqipëri në 20 vitet e fundit në të gjitha fushat.
Kryeministri i vlerësoi projektet e financuara nga qeveria gjermane si histori suksesi dhe shprehu shpresën që këto marrëdhënie të vazhdojnë të forcohen në interesin më të mirë dypalësh.
Kryeministri e njohu ambasadorin Hoffman me disa nga reformat e ndërmarra nga qeveria e tij, të cilat i mundësuan vendit përballimin e krizës ekonomike, si dhe çështje të tjera. Në takim u bisedua edhe për çështje të bashkëpunimit dypalësh dhe atij rajonal”, mbyllet njoftimi./b.l
Tema
Add new comment