Berisha: Shifra e Ramës për papunësinë, absurde. Ai është i ftohur nga të gjitha anët

Postuar në 27 Shkurt, 2013 07:41

 

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha ka njoftuar se sot do të miratohet dhënia me koncesion të disa HEC-ve si, Shën Gjon dhe Kryezi në Pukë. Ai tha gjithashtu se do të miratohet po sot edhe plani kombëtar i frekuencave. Ai bëri një përmbledhje të arritjeve në fushën e kominikacionit , ndërsa akuzoi kreun e Partisë Socialiste se ka dhënë shifra të pavërteta në lidhje me papunësinë. Ai tha se Rama është i ftohur nga të gjitha anët duke menduar se Shqipëria ka 1 milion të papunë.

Komunikimi, Berisha: Iku koha e zileve, sot teknologjia më e avancuar 4G

Sipas shefit të qeverisë, revolucioni në fushën e telekomunikacionit ka bërë që shqiptarët të zhdukin nga fjalori i tyre, shprehje të tilla si “më bëj një zile apo më bëj një cërr cërr”, të detyruar nga çmimet e larta. Tashmë, tha kryeministri, asnjë bisedë nuk ndërpritet në mes, pasi shërbimet e ofruara nga kompanitë e telefonisë janë të leverdishme dhe të përballueshme për të gjithë. 

“Ishte e dhimbshme koha kur qytetarët e këtij vendi paguanin 3 herë më shumë se qytetarët austriakë. Natyrisht qeveria udhe kryeministri u detyruan të bëheshin avokat të qytetarëve, siç është në moralin e të zgjedhurve. U sulmova në atë kohë në mënyrë të pandershme nga opozita, e cila në vend që të bënte avokatin e qytetarëve sulmonte kryeministrin se mbronte interesat e tyre. “- u shpreh Berisha. 

Papunësia: Rama jep shifra të pavërteta

Ndërsa shprehu vendosmërinë e tij për të ndjekur horizontet e teknologjisë, kryeministri theksoi se projekti i Shqipërisë dixhitale është dhe do të shndërrohet në një faktor të rëndësishëm për punësimin dhe rritjen ekonomike të vendit. 

Më tej shefi i qeverisë nënvizoi se politika e kësaj mazhorance ka si qëllim kryesor punësimin, ndërsa ironizoi deklaratat e kryetarit të PS-së për numrin e të papunëve në vend. Sipas kryeministrit “ të flasësh për 1 milion të papunë në një vend që sipas statistikave ndërkombëtare e kombëtare ka gjithsej 1 milion e 40 mije vetë forcë punëtore, do të thotë të jesh ftohur në të gjitha anët. Nuk mund ta them atë fjalë por e kuptoni vetë ju. Ai jeton në një botë personale.”- u shpreh kryeministri.

 

SHEKULLI

 

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.