Berisha sherr me Boden, streson Financat

Pagat dhe pensionet
Kryeministri reagon pas anulimit të vendimit nga ministria: Mbaj premtimin, rriten më 15 korrik
http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">
Ministria e Financave ka mohuar vetveten, duke deklaruar një ditë më pas se do të kemi rritje me 6%
ARD KOLA
Kryeministri Sali Berisha është ndier keq kur ka mësuar përmes mediave, se Ministria e Financave ka anuluar projektvendimin për të rritur pagat dhe pensionet, për shkak të gjendjes së vështirë në arkën e shtetit. Megjithatë, krenaria e Berishës është më e madhe në raport me realitetin e hidhur të financave, duke urdhëruar ministrin Ridvan Bode të rikthejë planin e rritjes për të dyja shtresat. Gazeta “Shqip” mëson se mes Kryeministrit dhe shefit të Financave ka pasur debat rreth planit të rritjes, për shkak se të ardhurat në buxhet janë të pamjaftueshme. Pasi ka marrë udhëzimet përkatëse, ministri Bode ka urdhëruar vartësit të hartojnë nga e para projektvendimin, i cili dy ditë më parë kishte përfunduar në “kosh”. Urdhri ka qenë i prerë: të punohet gjithë natën, që në mëngjesin e sotëm të jetë gati për miratim nga Kryeministri në mbledhjen e qeverisë që do të zhvillohet në orën 11:00 të paradites (sot e mërkurë).
Reagimi
I pari që ka reaguar pas njoftimit të Financave për anulimin e planit të rritjes së pagave dhe pensioneve ishte vetë Kryeministri Berisha, përmes rrjetit social “Facebook”, ku shkruan: “Të dashur miq, rrogat dhe pensionet do të rriten. Ne i mbajmë premtimet!”. Postimi në FB u bë rreth orës 13:00, pra u deshën rreth pesë orë që Berisha të sqaronte pozicionin e qeverisë në lidhje me planin dhe më pas të reagonte.
Pas Kryeministrit vjen edhe reagimi i Ministrisë së Financave, e cila “konfirmon rritjen e pagave dhe pensioneve”, madje shton se, vendimi do të hyjë në fuqi më 15 korrik, kurse fatura parashikohet rreth 2.5 miliardë lekë.
Argumenti
E vendosur në pozitë të vështirë, aq sa qesharake, Ministria e Financave mohoi vetveten, duke deklaruar se në arkën e shtetit ishin parashikuar me kohë, sipas ligjit të buxhetit fondet për rritjen e pagave dhe pensioneve, ku 1 miliard lekë planifikoheshin për buxhetorë dhe 1.5 miliardë për pensionistët. Pavarësisht deklaratës zyrtare, shpërndarë dje me shpejtësi nga ministria, realiteti brenda dikasterit të Bodes tregon të kundërtën. Janë vetë specialistët e ministrisë që pranojnë se urdhri i Berishës i ka vendosur në situatë stresuese, pasi nuk dinë se ku t’i gjejnë lekët për të përmbushur premtimin e “të madhit”, siç thonë ata. Nëse ministria zyrtarisht thotë se fondi 2.5 miliardë lekë paska qenë i planifikuar dhe nuk ka lidhje me ndikimet, dikasteri i Financave duhet të sqarojë edhe burimin se ku do t’i sigurojë, pasi vetëm si 5-mujor buxhetit i mungojnë rreth 3 miliardë lekë.
Krenaria
Në tetë vitet e bashkëqeverisjes, mes Kryeministrit (kryetar i PD-së) dhe ministrit të Financave (sekretari i përgjithshëm i PD-së), janë regjistruar jo pak raste përplasjesh. Berisha njihet për deklarata populiste, deri në ekstremin e euforisë, kurse ministri Bode është përpjekur të qëndrojë me këmbë në tokë, duke qenë se mban përgjegjësi për arkën e shtetit. Vendimi që pritet të merret sot kapërcen çdo logjikë ekonomike, pasi planifikohet një shtesë që shkon deri në 6 për qind për buxhetorët, gati tri herë më shumë se inflacioni. Megjithatë, kjo mbetet për t’u parë, ndërsa për pensionistët nuk ka ende asgjë konkrete.
Përplasjet kanë ndodhur zakonisht për shpërblimet e fundvitit, të cilat ministri është shprehur me rezerva, apo për rishikimin e disa taksave. Ishte vetë Bode që kundërshtoi planin e heqjes së TVSH-së për lëndët e para të importit në bujqësi dhe në makineri e pajisje, kur propozimi erdhi nga opozita (Partia Socialiste), por kur Kryeministri Berisha vendosi ta vinte në zbatim, pas 3 muajsh, ministri i kapërdiu ato që tha publikisht, duke ulur kokën.
Dilema
Situatë qesharake, mediat “ngacmuan” Kryeministrin, nga “inati” ai rrit pagat
Berisha njihet si njeri që preferon surprizat, duke dalë kundër çdo parashikimi. Në këto tetë vjet, aty ku mediat kanë shkruar me siguri, bazuar në dokumente (parashikime) zyrtare se pritet të ndodhë X gjë, apo Y vendim, Berisha ka preferuar variantin Z, duke dalë nga pritshmëritë.
Ajo çfarë ndodhi së fundmi, shtron një pyetje me të vërtetë “1 milion dollarëshe”. A do të kishim rritje të pagave dhe pensioneve në rast se mediat nuk do të kishin zbuluar përmes Ministrisë së Financave planin e anulimit. Ishte kjo ministri, zyrtarë të përgjegjshëm të saj, të cilët pohuan se planin e kishin anuluar, për shkak të kushteve monetare dhe se vendimin ia kishin lënë në dorë qeverisë së re socialiste të muajit shtator. Për financat, kapitulli “paga – pensione” ishte i mbyllur. Pra, 90 mijë buxhetorët dhe 550 mijë pensionistët do të prisnin formatimin e qeverisë së re në shtator dhe vendimin e saj se çfarë do të bënte me shtesat, ku (pa paragjykuar) mund edhe të merrnin një shtyrje në kohë të planit.
Mediat treguan të vërtetën e pohuar nga Ministria e Financave, por Kryeministri nuk e pranon, duke dalë mbi çdo skenar. Tashmë ai urdhëroi rritjen e pagave dhe pensioneve, i ngacmuar nga mediat që hapën me të madhe lajmin. Çfarë do të ndodhte nëse nuk do të ishte zbardhur e vërteta? Thjesht do i lihej harresës. Vërtet një situatë qesharake.
SHQIP
Add new comment