Berisha: Revansh i paparë në selinë mavi. Prisni tenderin e miellit se aty deti bëhet kos

Postuar në 11 Korrik, 2013 20:23

Kryeministri në largim, Sali Berisha, ka sulmuar sërish kreun e socialistëve, njëherësh kryeministrin e ri, Edi Rama, duke thënë se ka nisur një revansh të paparë ndaj administratës.

Në një status në rrjetin social “Facebook”, Berisha ka ironizuar nismën e re të socialistëve për aplikimet për punë nëpërmjet internetit.

“Të dashur miq, në selinë mavi revansh i paparë. Pas hapjes së tenderit online për fshesën ndaj administratës, z.Rama njofton se konkurset për vendet e punës në administratë nuk kanë qenë të hapura (paçka se botoheshin në të gjitha mediat e kontrolluara prej tij), prandaj për t’i hapur ato ai ka vendosur që çdo njeri për të marrë pjesë në konkurse për punësim në administratë duhet më parë të aplikojë online dhe të presë biletën në selinë e PS. Por siç thotë fjala e urtë, oreksi vjen duke ngrënë.

Z.Rama njoftoi se fshesa e partisë do të fshijë (pastrojë) edhe sektorin privat, i cili së shpejti do të “ndihmohet” me aplikantët e “virtytshëm” online të selisë së PS. Kjo është lule. Prisni, prisni tenderin e miellit. Aty deti bëhet jo kos, por flori. Tepron edhe për ndonjë mik të çmuar që çmendet pas gjahut dhe trafiqeve! Ndryshim!! Me vrap drejt të shkuarës!”,- shkruan Berisha.

Kryeministria: Rama ka hapur tenderin për fshesën ndaj administratës

Më herët zëdhënësja e qeverisë në largim, Erla Mëhilli, ka reaguar në lidhje me nismën më të fundit të kryeministrit të ardhshëm, Edi Rama, për aplikimet online për punë. Sipas saj, Rama tashmë ka hapur tenderin për fshesën ndaj administratës.  “Kryetari i mazhorances së re, z.Edi Rama ka hapur prej ditësh në një akt flagrant anti-shtetëror, tenderin për fshesën ndaj administratës. Madje ai pretendon se database i PS që do të përdoret për këtë qëllim, do t’i ofrohet edhe sektorit privat. Pra fshesa e partisë, tenderi i saj për punësim, do të përfshijë edhe punonjësit e sipërmarrjeve private.  Kjo është forma më staliniste e kontrollit të tregut të punës, është kazma në themelet e lirisë së këtij tregu. Për të justifikuar veprimin e tij, vendosjen me shpejtësi të sistemit gjobëvënës socialist, Rama deklaron se punëkërkuesit e përzgjedhur nëpërmjet Partisë Socialiste do t’i ofrohen konkurseve të hapura që organizon administrata për vende pune sepse sipas tij më parë këto konkurse nuk kanë qenë të hapura dhe tani ai do t’i bëjë më të hapura duke rekomanduar nga selia e PS pjesëmarrësit e këtyre konkurseve. Unë sot jam këtu për të denoncuar këtë praktike, si një  veprimtari të mirëfilltë antishtetërore dhe shkatërrimtare për administratën publike dhe tregun e punës në tërësi”, ka deklaruar Mëhilli. Sipas saj, gjatë tetë vitesh qeverisje, mazhoranca në ikje nuk ka pasur kurrë lista partie për t’i punësuar në administratë. “Plotësimi i vendeve të administratës është bërë gjithnjë vetëm pas publikimit të vendit të lirë në mediat shqiptare, përfshirë në të gjitha rastet edhe në mediat e kontrolluara nga z.Rama. Në plotësimin e vendeve në administratë padyshim ka pasur dobësi dhe bërryla, por nuk ka pasur kurrë listë partie të dërguar në konkurset e organizuara. Me këtë rast informoj shqiptarët se administrata shqiptare në vitin 2005 kishte vetëm 1% të punonjësve të saj të diplomuar në vendet perëndimore, ndërsa sot ka mbi 21% të tyre të shkolluar në universitetet më të mira të këtyre vendeve. Të gjithë këta nuk kane ardhur në administratë nga listat e partisë, por kanë ardhur nga konkurset e hapura  nga Departamenti i Administratës Publike për plotësimin e vendeve të lira të punës”, ka thënë ajo.  Mëhilli ka akuzuar se  me këtë nisëm Rama kërkon që të kontrollojë edhe sektorin privat.

“Unike dhe tejet e rrezikshme për tregun e punës është ideja se listat me aplikantët e partisë do përdoren jo vetëm për fshesë ne administratën publike, por për fshese partiake edhe për të punësuarit ne sektorin privat. Zoti Rama pretendon se me aplikantet e partisë, të rekomanduarit e saj, do të furnizojë sektorin privat për të plotësuar vendet e punës. Pra, ai dëshmon se do bëjë çdo gjë për të kontrolluar nga selia mavi tregun e punës. Pra, me sistemin  e tij të ri z.Rama po hedh hapa të paimagjinueshëm për një vend të lirë, hapat e instalimit te regjimit të partisë shtet dhe kontrollit partiak rrënues të punësimit në administratën publike dhe sektorin privat”, përfundoi ajo.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.