Berisha: Rama si zvarranik bunkerësh, unë si zog mali

Postuar në 16 Qershor, 2013 09:18

Kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha ka inauguruar sot tunelin Tiranë-Elbasan, i cili do të shkurtojë rrugën me 40 minuta. 

Ai ka akuzuar liderin e opozitës Edi Rama, se "vetën shan dhe mallkon", se "u rrit si zvarranik bunkerësh, unë si zog mali dhe ja ku jam; vazhdoj të fluturoj, ndaj dhe ju ftoj të ecim përpara, për të tjera projekte".

"Përshëndetjet e mia më të përzemërta, urimet më vëllazërore për këtë ditë, që do të mbetet në memorien tonë, si një ditë e krenarisë sonë individuale, kombëtare, sepse ne sot më 16 qershor të vitit 2013 bëjmë të vërtetë, realizojmë një ëndërr tonën, një ëndërr por jo vetëm të gjeneratës sonë, por të gjeneratave të tëra, që ëndërronin që një ditë Elbasani, ky qytet i shpirtit dhe zemrës mbarë të shqiptarëve, ky qytet djep i dijes dhe shkollimit të tyre të bashkohej me Tiranë nëpërmjet një tuneli", tha në fillim të fjalës së tij, kryeministri Sali Berisha.

Ai shtoi se, "emocionet sot janë të mëdha sa vetë rruga; ato nuk kanë të përshkruar, por njëkohësisht kënaqësia është shumë e madhe, sepse sot më 16 qershor vendi që vetëm 6 vite më parë kishte rrjetin rrugor më të shkatërruar dhe më të prapambetur jo në Europë dhe shumë më gjerë, po çan malet, po ndërton tunele, kryevepra inxhinierike, po krijon realitete të reja gjeografike dhe ekonomike e sociale".

"Tuneli dhe autostrada sjellin Elbasanin pranë Tiranës dhe e bëjnë qytetin më të afërt, por Librazhdi, Gramshi dhe Dumreja do jenë në Tiranë për 30-40 minuta. Pogradeci, Korça, Bilishti në Tiranë për 1 orë më shpejt. Por tuneli është segmenti krenar dhe i pavdekshëm i segmentit të Korridorit 8, që do të sjellë flukse të mëdha të tregut, energjisë dhe të gjitha llojeve, nga Lindja Perëndimi, port i të cilit në Ballkan është Shqipëria", tha Berisha.

 "Është segmenti më i rëndësishëm i Korridorit të Jugut, që do sjellë Beratin, Tepelenën në një kohë rekord në Tiranë. Është i jashtëzakonshëm në zhvillimin e Shqipërisë dhe  shqiptarëve", ka theksuar Berisha.

 "Një financim i Bankës Islamike për Zhvillim, fondit të Abu Dabit dhe fondeve të tjera. Mirënjohjen më të thellë, mirënjohje punëtorëve teknikëve, inxhinierëve që vepruan 24 orë, që t’ua bëjnë shqiptarëve dhuratë në kohën më të shkurtër siç ua bënë", tha Berisha.

 Ai ka përmendur projekte të mëdha si Kaskada e Devollit, qindra hidrocentrale, projekti TAP, "për të ecur me shpejtësi drejt cilësisë". "Ftojmë çdo shqiptar, që të shohë modelin tjetër të dëshpërimit, zhgënjimit, pesimizmit, mbjelljes së zisë dhe vrerit kudo. Ky model i fabrikuar nga njerëz pa ide, nga njerëz të ndryrë në autobusin mavi, kërkon që rrugët, shkollat, ujësjellësit, shtëpitë e reja t’i mohojë, t’i fusë në thesin e Koços dhe bashkë me Koçon në autobusin mavi. Inaugurimi i sotshëm është një fjalë e dhënë, e mbajtur para jush qytetarë të Elbasanit", tha Berisha.

 

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.