Berisha-Ramës: Rrugët dhe punësimi janë parimet e mia, ti rri në autobusin me xhama të zinj

Postuar në 22 Maj, 2013 15:16

 

Kryeministri Sali Berisha ka çelur sot fushatën e elektorale në qytetin e Librazhdit ku ka prezantuar kandidatin për deputet në këtë rreth, Eduard Selamin.

Në fjalën e tij para simpatizantëve, Selami u shpreh se Berisha arriti të krijonte shtetin më të fortë ligjor, arriti të liberalizonte vizat, të zhvillonte infrastrukturën, të ndërtonte shkolla dhe qendra shëndetësore. Ai u bëri thirrje banorëve të Librazhdit të votojnë PD, pasi sipas Selamit është garancia më e madhe për Shqipërinë europiane.

“PD sot është shpresa më e mirë e qytetarëve për tu bërë anëtarë të Evropës së bashkuar.Fatkeqësisht nga ana tjetër nuk është e njëjta mundësi dhe është për të ardhur keq që Rama bllokoi 3 ligjet dhe nuk lejoi që të marrim statusin e vendit kandidat. Nëse do kishte dëgjuar këshillat e partnerëve tanë dhe zërat e moderuar brenda PS, sot Shqipëria do ishte vend kandidat ne BE. Të gjithë ne këtu do ishim shumë mirë, ndaj një vijim i mbështetjes për PD-në dhe zotin Berisha, do të thotë shtet ligjor më i fortë, më shumë investime të huaja, më shumë rrugë të shtruara, më shumë qendra shëndetësore dhe shkolla për fëmijët tanë dhe mbështetje për fermerët”, u shpreh Selami.

Ndërkohë kryeministri Berisha, në fjalën e tij renditi një sërë arritjesh që qeveria e tij ka realizuar gjatë këtyre viteve, ndërsa premtoi se shumë më tepër do të bëhen mandatin tjetër, ku në zonën e Librazhdit sipas tij do zhvillohen një sërë veprash të rëndësishme energjetike të cilat do të punësojnë disa mijëra vetë.

“Gjatë këtyre viteve ju jeni dëshmitarë se ne kemi investuar shumë këtu. Ne kemi ndërtuar dhjetëra shkolla e qendra shëndetësore, ndërkohë që numri i bizneseve në Librazhd është dyfishuar në 1400. Ne jemi të vendosur të ndërtojmë në katër vitet që vijnë çdo kilometër rrugë në çdo fshat të këtij rrethi. Ne do ndërtojmë këtu infrastrukturën më moderne si ato të qyteteve tona. Do vazhdojmë ndërtimin e shkollave, ujësjellësve e kanalizimeve. Shkolla, rruga dhe energjia elektrike janë kushtet themelore për zhvillim”, – ka premtuar Berisha.

Kreu i qeverisë i ka kthyer përgjigje edhe rivalit të tij politik lidhur me deklaratën e bërë gjatë takimit me banorë të Kombinatit se qeveria është investuar e tëra në infrastrukturë.

“E dëgjuat vetë mbrëmë, zoti Rama në një bisedë me qytetarët e Tiranës u tha atyre se çfarëdo t’i kërkosh Kryeministrit, të thotë rrugë. I nderuar zotëri, i ke nervat e lodhura nga rrugët. Jo zotëri, puna dhe punësimi janë qëndrimet e mia më madhore, fakti që në këtë rreth bizneset janë dyfishuar dëshmon se kemi nxitur dhe inkurajuar biznesin dhe zhvillimin e tij.
Tani që deklaruam se do marrim vizat për SHBA dje deklaroi se të gjithë do shkojnë në Amerikë. Jo zotëri do shkojmë për vizitë, do ta bëjmë Shqipërinë Amerikë. Të bashkohemi për punësim, mirëqenie dhe integrim. Alternativa tjetër e shpalli Shqipërinë karrocë për invalidin, Shqipëria është anëtare e NATO-s, meritoi statusin dhe do ta marrë, ti rri në autobus me xhamat e zi. Të bashkohemi të gjithë pavarësisht nga bindjet”, tha Berisha.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.