Berisha, politikë me nxënësit: Serbia po hyn në BE, ndërsa ne jo, për fajt të Edi Ramës

Postuar në 23 Prill, 2013 14:28

 

Kryeministri Berisha ka qenë gjatë ditës së sotme në shkollën “Ibrahim Hasmema” në Petrelë, ku ka zhvilluar një “bashkëbisedim” me nxënësit. Berisha, ashtu si në çdo takim, nuk i ka shpëtuar dot politikës dhe akuzave ndaj kryesocialistit Rama. Sipas Berishës, ndërsa Serbia është gati të hyjë në BE, Shqipëria nuk e ka mundësi, për faj të Edi Ramës.

“Komisioni Evropian i vlerësoi përpjekjet, por deklaroi të plotësohen 3 ligjet. Qëllimi ishte që qeveria dhe opozita me votimin e ligjeve t’u dëshmonin qytetarëve vullnetin për integrim, por dhe të merrte përgjegjësitë e veta opozita. Opozita në vend që ta përdorte votën për një mirësi ndaj qytetarëve, nuk votoi tre ligjet. Pra, interesat më të ngushta dhe të paimagjinueshme e shtynë atë drejt bllokimit të tre ligjeve. Ndërsa sa i përket marrëveshjes Kosovë-Serbi, është shumë e rëndësishme për çdo shqiptar, është historike. Por, Serbia e bëri këtë se zgjodhi të ardhmen evropiane. Ne që nuk kemi asnjë problem të tillë, nuk votojmë tre ligje. Zgjedhjet po vijnë dhe shqiptarët do thonë fjalën e tyre me votë”, tha Berisha.

Fillimisht në fjalën e tij Berisha u ndal tek rëndësia e leximit të librave, duke u treguar nxënësve se libri ka qenë një prej pasioneve të tij në fëmijëri.

“Në mënyrën më miqësore ju këshilloj të bëni çdo gjë për të pasur raportin më të ngushtë me librin, në çfarëdo pasioni që të jeni, se disa janë më të pasionuar pas shkencave teknike. Në këtë moshë, por edhe më të vogël se ju, asgjë nuk u jep pushtet më të madh se libri, asgjë nuk ushqen trurin, intelektin, zhvillimin mendor më shumë se libri”, ka thënë Berisha gjatë fjalës së tij, ndërsa më pas ka ndarë kujtimet e fëmijërisë së vet dhe lidhjet me librin.

“I them vetes se kam pasur fat të madh që kam pasur pasion librin, nuk kam pasur aleat më të fuqishëm, më të shkëlqyer se libri. Në kohën time nuk ishte e thjeshtë të gjejë libra të mirë, sot e tërë letërsia e botës gjendet te ne. Lexoni letërsi shqipe sa më shumë, se kemi plotë të drejtë të krenohemi. Sot ne kemi shkrimtarë dhe poetë të rangut botëror. Unë nuk jam kritik, por Kadareja është një nga më të mëdhenjtë. Ne kemi një monument letërsisë, kemi një letërsi që çdonjëri prej jush me të drejtë mund të krenohet. Këtë trashëgimi të madhe që ne kemi duhet ta shfrytëzoni, duhet ta keni”, tha ai./b.l

 

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.