Berisha nuk e ka diskutuar në qeveri vendimin për tjetërsimin e selisë së SHQUP-it

Postuar në 10 Gusht, 2013 04:04

Transparenca - Vendimi për ta kthyer Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë në selinë e re të PD-së nuk është publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave
Selia e PD-së - Partia Demokratike, që prej vitit 1992, ka selinë e saj historike ndërtesën në qendër pranë sallës së Parlamentit shqiptar
Ministri - Një anëtar i qeverisë, i cili nuk preferoi të identifikohej, theksoi se nuk është diskutuar në mbledhjen e qeverisë për këtë vendim
Zyrtare - Vendimi i marrë nga qeveria për selinë e re të PD-së quhet zyrtar kur të publikohet në Fletoren Zyrtare. Hyn në fuqi 15 ditë më pas
Skandali

Plan për vendosjen e PD-së së Fierit në Shtëpinë e Ushtrisë

Herion Mesi

Thellohet edhe më tej përmasa e skandalit për godinën e re të Partisë Demokratike. Vendimi i kalimit të Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë në seli të Partisë Demokratike, duket se është mbajtur i fshehtë jo vetëm për publikun, por edhe për vetë pjesëtarët e kabinetit qeveritar, duke e kthyer atë në një vendimmarrje të fshehtë mes kryeministrit në ikje Sali Berisha, ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, dhe kryetarit të ri të PD-së Lulzim Basha, i cili mësohet të jetë dhe iniciatori i këtij propozimi.
Mbledhja

Janë vetë pjesëtarët e kabinetit qeveritar, të cilët mohojnë faktin se në mbledhjen e së mërkurës është diskutuar për këtë çështje nga qeveria, duke lënë të kuptohet se vetë ministrat nuk kanë pasur dijeni mbi këtë fakt, me përjashtim të ministrit përkatës të Mbrojtjes. “Në mbledhjen e së mërkurës nuk është diskutuar fare për kalimin e godinës së SHQUP-it në pronësi të Partisë Demokratike”, pohuan dje burime nga kabineti qeveritar për gazetën “Shqip”. Nga të njëjtat burime mësohet, gjithashtu, se është e vërtetë që është diskutuar në mbledhjen e qeverisë për kalim të një godine të ushtrisë në funksion të Partisë Demokratike, por bëhet fjalë për një nga katër katet e godinës së Shtëpisë së Oficerëve në Fier, edhe kjo në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila është diskutuar për t’ju vënë në dispozicion PD-së së Fierit.
Prononcimi

Në një bisedë telefonike të zhvilluar me një nga ministrat në detyrë të kabinetit “Berisha”, i pyetur në lidhje me këtë vendim të krerëve të PD-së për t’u shpërngulur nga godina historike e kësaj partie, ai e mohon një gjë të tillë. “Nuk kam dijeni për ndonjë vendim të tillë të Kryesisë së PD-së, kryetarit të ri apo të vjetër, për shpërngulje të partisë në një godinë tjetër, e aq më tepër të SHQUP-it. Për këtë mund të shihni dhe vendimet e qeverisë që janë në faqen e saj zyrtare. Por, duke ju falënderuar për interesimin tuaj për zbardhjen e këtij lajmi, me të cilin jeni ju që po më vini në dijeni, mund t’ju them se unë isha i pranishëm në mbledhjen e qeverisë të mërkurën dhe aty nuk është diskutuar jo vetëm atë ditë, por asnjëherë ideja për një ndryshim të tillë. Në mbledhjen e qeverisë ishte një propozim, ku kërkohej që degës së Partisë Demokratike në Fier t’i vihej në dispozicion një nga katet e Shtëpisë së Oficerëve të këtij qyteti, pasi ajo është një godinë katërkatëshe, dhe nuk ishte e nevojshme që t’i vihej në dispozicion e gjithë godina. Dhe kjo kërkesë vinte për shkak se Partia Demokratike e Fierit ishte pa një zyrë të sajën. Dhe e gjithë kjo çështje është trajtuar në formën e diskutimit mes nesh, por nuk u mor asnjë vendim për këtë. Kjo është e vërteta, por mund t’ju them që as nga vetë Partia Demokratike nuk është diskutuar ndryshimi i godinës. Çdo gjë tjetër është vetëm spekulim lidhur me diskutimin që është bërë në mbledhje të qeverisë për Shtëpinë e Oficerëve të Fierit, duke e hedhur atë sikur është diskutuar për Shtëpinë e Oficerëve në Tiranë. S’ka asgjë të vërtetë në këtë mes”, tha dje një nga ministrat e kabinetit të qeverisë në ikje “Berisha”.
Vendimi

Mbledhjen e së mërkurës, raportoi Top Channel, qeveria, ose më saktë një pjesë e saj, ka marrë vendim t’i kalojë Partisë Demokratike një nga pronat më të lakmueshme të Ministrisë së Mbrojtjes. Bëhet fjalë për Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, përbri Parlamentit. Vendimi në fjalë nuk gjendet i publikuar madje as në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave së bashku me vendimet e tjera. Nuk dihet me saktësi se çfarë do të bëhet me godinën historike të Partisë Demokratike, e cila nuk është në pronësi të kësaj force politike dhe gjendet në një territor që ka pronarë privatë. Por, ajo që dihet është se ka qenë kreu i ri i demokratëve, Lulzim Basha, njëkohësisht kryetar i Bashkisë së Tiranës, ai që ka bërë propozimin për marrjen e një godine tjetër për Partinë Demokratike dhe për këtë është piketuar Shtëpia Qendrore e Ushtrisë, e cila ka një territor dhe një ndërtim shumë më të madh sesa selia aktuale e Partisë Demokratike.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.