Berisha në Sukth: Mbajtëm të gjitha premtimet. Rama, Nastradini në autobusin mavi

Sukthi ishte ndalesa e radhës elektorale e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, ku në fjalën para mbështetësve të tij, ai premtoi vazhdimin e investimeve, që sipas tij, kanë ndryshuar këtë zonë dhe do të vazhdojnë ta ndryshojnë drejt transformimit të saj në një nga zonat urbane më të zhvilluara të rajonit.
“Ne premtojmë se në katër vitet që vijnë do vazhdojmë të jemi avokatët tuaj në infrastrukturë, shkolla, qendra shëndetësore, ujësjellës, energji. Janë ndërtuar dhe rindërtuar shumica e shkollave. Fermerët e Sukthit kanë modernizuar fermat e tyre”, tha Berisha.
Kryeministri premtoi lidhjen me rrjet rrugor moderne të skajeve të kësaj bashkie si dhe furnizim me ujë për çdo fshat që përfshin kjo njësi e qeverisjes vendore.
“Ne në katër vitet që vijnë do t’i japim Sukthit infrastrukturën më moderne. Do lidhim brigjet e Sukthit me kepin e tij, me autostradën kombëtare në mënyrë direkte. Do ndërtojmë ujësjellës në çdo fshat të kësaj bashkie, shkolla të reja në të gjithë territorin e saj. Katër vitet që vijnë për fermerët e Sukthit, për të cilët kemi financuar rreth 100 ha vreshta, dru frutorë etj, ne do të 3-fishojmë grantet. Sukthi do të ketë tregun e vet modern dhe terrenet sportive të tij dhe do shndërrohet në një nga qendrat urbane më të zhvilluara të këtij rajoni”, tha Berisha.
Kryeministri më tej ka ironizuar deklaratat e kryesocialistit Rama se do udhëheqë vetë procesin e legalizimeve të banesave informale.
“Ai ka marrë përsipër rolin e Nastradinit në autobusin mavi. Të tjerëve iu thotë se edhe Enveri të lëvizë nga varri nuk do ju lëvizim, por a nuk që ti që në Rashbull ju the banorëve, toka nuk është e juaja shkoni nga keni ardhur. Në Delvinë u zotua se do heqë taksën mbi makineritë, po shko tek doganat dhe mësoje se asnjë biznes nuk paguan asnjë taksë për makineritë që hyjnë në Shqipëri. Në një vend tjetër ju thotë fermerëve se do heqë TVSH, ne kemi vendosur t’ju japim në dorë TVSH për çdo gjë që përdorni në fermat tuaja. Akcizën e naftës me para në dorë, ky është zotimi ynë dhe vendimet janë të miratuara në mënyrë përfundimtare”, tha kryeministri.
SHQIP
Add new comment