Berisha në Skrapar: Rama u ka fyer kolektivisht. Do e bëj malin e Tomorit të njohur në mbarë botën

Kryeministrit Sali Berisha duket se i ka mbetur vetëm alternativa e përçarjes për këtë fushatë elektorale.
Duke folur në një miting elektoral në Çorovodë, Berisha tha se kryetari i LSI, Ilir Meta, duhet të sjellë në Skrapar Edi Ramën dhe ai të kërkojë falje që i ka fyer kolektivisht.
“Nuk jam rritur rreth Tomorit, jam rritur rreth Shkëlzenit. Ndaj ta sjellë këtu Edi Ramën dhe ai të kërkojë falje për fyerjet kolektive që i ka bërë Skraparit dhe skraparllinjve. Askush në botë nuk ka të drejtë që t’ju fyejë ju kolektivisht. Të kërkojë falje për etiketimin skraparlli të aleatit të tij të sotëm,” tha Berisha.
Ironia arriti kulmin kur Berisha akuzoi Ramën se “ai manipulon realitetin me kamera për të ndryshuar sheshet”.
Në të vërtetë të dy po manipulojnë me kamerat, pasi nisin pamjet që vetë duan.
Por Berisha e tha këtë në një miting, ku kamera nuk dilte ndonjëherë sipër për të kapur sheshin e mbushur vetëm me disa fëmijë shkollash, që ishin sjellë aty me përdhunë nga mësuesit dhe që ishin porositur që të bërtisnin kur fliste Berisha.
“Skrapari është një rreth me potenciale të mëdha, është një territor në të cilin banorët e tij mund të kenë mirëqenien më të mirë që meritojnë. Territori juaj, rrethi juaj është rrethi i grave dhe burrave punëtore, njerëzve të mençur, njerëzve me ambicie pozitive për të ndërtuar një jetë më të mirë. Skrapari është një vend me pasuri të pafundme, rrethi në të cilin prodhimet e frutikulturave mund të marrin zhvillim dhjetë herë më shumë se sa është sot”, u shpreh Berisha.
Ai u zotua se do të financohet çdo projekt i qytetarëve të Skraparit, banorëve të Skraparit për ullishte, vreshta, qershi e dru frutorë kudo që do të mblidhen.
“Skrapari ka ndër potencialet e turizmit malor më të jashtëzakonshëm në Shqipëri. Jam këtu për tu zotuar para jush se të katër anët e këtij rrethi tani po ecin drejt Përmetit dhe shumë shpejt do të ecim drejt Tomorit dhe Tomorin do ta bëjmë të njohur në Evropë dhe botë për potencialet e tija të jashtëzakonshme turistike”, insistoi Berisha./ep
TEMA

Add new comment