Berisha në Mynih: Nuk mund të klonohen 5 kombe shqiptare, albanofobia po rrezikon stabilitetin

Kryeministri shqiptar Sali Berisha, duke folur në Konferencën e 49-të të Sigurisë në Mynih, ka shprehur shqetësimin se qëndrimet kundër shqiptarëve në rajon po kërcënojnë seriozisht stabilitetin në Ballkan.
“Unë kam bindjen se albanofobia, në të gjitha qëndrimet kundrejt shqiptarëve, është e gjallë dhe në veprim dhe ajo kërcënon seriozisht stabilitetin në Rajon. Nëse ju shihni hartën e Europës, nuk gjeni vend tjetër të rrethuar nga bashkëkombas dhe deti, siç janë sot shqiptarët të ndarë në 5 shtete. Unë besoj se nëpërmjet procesit të Bashkimit Europian, kufijtë bëhen të pa rëndësishëm, por e rrezikshme është ideja sipas të cilës meqenëse shqiptarët janë të copëtuar në 5 shtete duhet të shndërrohen në 5 kombe të ndryshme nga njëri-tjetri. Kjo është tërësisht e papranueshme. Kjo do të prodhonte dhe provokonte reagimin e kundërt.
Unë kam mbështetur dhe përshëndes dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel. Padyshim ai ka arritur disa suksese kyçe. Por mendoj se, qëndrimet e çliruara nga albanofobia dhe ecja drejt pajtimit janë vendimtare. Në rajon situata më delikate është ajo e shqiptarëve. Duhet ta pranojmë se janë i vetmi komb që jeton në 5 shtete. Një komb, i cili padrejtësisht është i ndarë në 5 shtete, një komb që dëshiron të shikoj drejt një të ardhme të përbashkët. Por, sërish albanofobia është akoma në veprim. Kur flas me miqtë e mi kroat, slloven dhe madje edhe me ndonjë serb, ata më pohojnë me sinqeritet se çfarë ‘baruti” urrejtje dhe përbuzje është akumuluar gjatë një shekulli për shqiptaret. Kjo është e vërteta. Dhe kjo është e shprehur duke vonuar zbatimin e marrëveshjeve, duke përkujtuar fillimin e fushatave të asgjësimit masiv të shqiptarëve”, ka thënë Berisha. Kreu i qeverisë shqiptare ka theksuar se duhet të adaptohet modeli i BE, i bazuar në pajtimin midis Francës dhe Gjermanisë. “Kjo në rajon nuk po ndodh. Prandaj unë këmbëngul në implementimin e marrëveshjeve dhe refuzimin e çdo ideje, se shqiptarët për aq kohë sa jetojnë në 5 shtete duhet të kthehen në 5 kombe, sepse nuk do të pranohet nga shqiptarët. Kjo do të ketë për alternativë bashkimin e tyre kombëtar”, ka thënë Berisha
I pyetur nga deputeti gjerman, Rainer Stinner se cili është mesazhi që do të përcillte kryeministri i Shqipërisë për ta, Berisha ka kërkuar veprime të shpejta. Mesazhin e tij Berisha e ilustroi me një qëndrim në 1992, se duhet të bombardoheshin bazat ushtarake në Serbi, të cilën sipas tij NATO e bëri 7 vjet më vonë. Ndoshta, tha Berisha, do kishte qenë më mirë të mos ishte vonuar.
“Sepse në rast se nga njëra anë tjetri flet për perspektivën e marrëdhënieve bilaterale dhe nga ana tjetër feston datat e fillimit të fushatave të shfarosjes së kombit shqiptar, imagjinoni vetë se çfarë mesazhi fqinjësie është ky. Prandaj e konsideroj të domosdoshme të zbatohen marrëveshjet, të punohet për klimën e pajtimit. Duhet të hiqet dorë nga albanofobia dhe përpjekjet për të klonuar 5 kombe shqiptare të veçanta nga një komb, i cili në të vërtetë është një dhe në shekuj e mijëvjeçarë ka qenë vetëm një”, shtoi kryeministri.
Kryeministri shqiptar, gjatë qëndrimit në Mynih, zhvilloi një takim me presidenten e Kosovës Jahjaga, së cilës i vlerësoi faktin se Republika e Kosovës është shndërruar tashmë në një faktor real e të rëndësishëm të paqes e sigurisë në rajon.
SHQIP
Add new comment