Berisha në Kukës: Modeli i Edi Ramës bazohet tek lolo, që i vijnë këtu për të blerë vota

Postuar në 15 Qershor, 2013 15:19

Kryeministri Berisha ka vijuar turet elektorale në qytetin e Kukësit, nga ku u ka bërë thirrje socialistëve të votojnë për PD-në që sipas tij ofron alternativën e zhvillimit. “Të bëjmë gjithçka këto tetë ditë që kanë mbetur, për të bindur çdo banor të Hasit, socialistë e të paparti, të vijnë me ne, të vijnë në alternativën tonë. Alternativa jonë është ndërtimi i një infrastrukture moderne në Has e kudo ku banojnë shqiptarët. Alternativa jonë është shtimi i madh i vendeve të punës në qytete duke ulur taksat e subvencionim i fermave tre herë më shumë se sot, shfrytëzim i pasurive natyrore dhe shndërrimi i tyre në vlera për qytetarët”, ka thënë Berisha.

Kreu i qeverisë i është rikthyer premtimit për heqjen e vizave me Amerikën gjatë mandatin të ardhshëm. “Të vijnë në alternativën tonë, për ecjen përpara drejt statusit të kandidat në Bashkimin Europian dhe integrimin e Shqipërisë në Europë, të vijnë me ne për të hequr vizat me vendin e madh të lirisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të vijnë me ne për të hequr doganat me Kosovën dhe për të krijuar hapësirën ekonomike shqiptare”, tha Berisha. Ai ka sulmuar sërish kreun e opozitës Edi Rama se mashtron dhe është me fiksime.

“Edi Rama, sapo del nga autobusi mavi, shpërndan kudo mashtrime, trillime, poshtërime, fiksime. Për atë, ju, gratë e burrat hasiane në këtë shesh, nuk jeni qytetarë të lirë, por robër e skllevër të Sali Berishës, por ju jeni gratë e burrat e lirisë, skllav e rob është ai, pasagjeri i autobusit mavi. Për Edi Ramën, NATO është natë, sepse të tillë e konsideronin etërit e tij, Bashkimi Europian nuk është as bukë, as ujë, ndaj mund të shkelmojë mbi interesin tuaj të integrimit. Për Edi Ramin, për të mbledhur vota duhen rritur taksat, duhet kaluar në taksën progresive, në mënyrë që të shkatërrohen dhjetëra mijëra vende pune e të largohen mijëra investitorë. Për Edi Ramën, jeleku im është këmishë e blinduar, vuan nga fiksimet, por për ato nuk kemi ç’ti bëjmë”, tha Berisha.

Ai ka akuzuar Ramën për blerje votash dhe se nuk ka deklaruar pasurinë. “Modeli i Sali Berishës, i cili njëlloj si shumica prej jush, pas 20 vitesh në politikë jeton në një apartament 125 metra katror dhe modeli i Edi Ramës, i cili mësyn karrigen e kryeministrit me një vila 57 metra të gjatë dhe një pallat tjetër në shpinë, pa treguar as edhe një qindarkë me se i ka ndërtuar dhe me se po i ndërton.  Modeli juaj dhe i Sali Berishës që bazohet tek njerëz të ndershëm, njerëz të përkushtuar ndaj jush. Modeli i Edi Ramës që bazohet tek lolo, që i vijnë këtu për të blerë vota në mënyrën më të turpshme dhe mendojnë se mund të blejnë vota në Has, Kukës apo Tropojë. Modeli që bazohet në Koço, që mesa duket paguajnë faturën e pallatit në pajë dhe vilës 57 metra, për shpërblimet që ka marrë me taksat e qytetarëve të Tiranës”, tha Berisha.

 

Berisha në Tropojë: Shoku i autobusit shkelmon të gjitha arritjet, socialistët të bashkohen me ne

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim elektoral në vendin e tij të lindjes, Tropojë, ku prezantoi kandidatët për deputetë të PD në këtë zonë.

Shefi i qeverisë në fjalën e tij u kërkoi të gjithë socialistëve të Tropojës dhe të të gjithë Shqipërisë që të bashkohen me projektin e PD-së që ofron rritje punësimi, ndërtim të infrastrukturës moderne, zhvillim të jetës së qytetarëve.

“Ne kemi dyfishuar pensionet, kemi rritur rrogat e arsimtarëve dhe infermierëve, kemi rritur mirëqenien e njerëzve. Alternativa jonë është alternativa e punësimit, e zhvillimit ndërsa alternativa tjetër është ajo e zisë, e poshtërimit të gjithçkaje që ju keni realizuar”, tha Berisha.

Kryeministri  gjatë fjalës së tij sulmuar alternativë e majtë, ku deklaroi se shoku i autobusit do të shkelmojë gjithçka që qeveria shqiptare dhe qytetarët e saj kanë realizuar gjatë këtyre viteve.

“Alternativa tjetër është ajo  e nxirjes, poshtërimit të gjithçkaje që ju keni realizuar. Në krye të fushatës pasagjeri i autobusit mavi shpalli Shqipërinë tuaj, Shqipërinë tonë, Shqipërinë anëtare të NATO-s, të vizave, e shpalli Shqipërinë e gënjeshtrës. NATO-n si natë njësoj si etërit e tij, ndërsa  BE për të është asgjë. Nga autobusi i tij, për të, rrugët e ndërtuara me taksat tuaja nuk ekzistojnë, rritja e rrogave dhe pensioneve nuk janë të vërteta. Shoku i autobusit do të shkelmojë gjithçka që keni realizuar”, tha ai.
Ashtu sikurse edhe një ditë më parë Berisha tha se votuesit duhet të zgjedhin midis dy modeleve, atë të Berishës, si njeri që i beson familjes, punës së ndershme dhe modelit, që sipas Kryeministrit, ofron Rama që është njeriu që shkelmon çdo interes të votuesve, përçmon deri në urrejtje kundërshtarët dhe përmend hekurat e burgut.

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.