Berisha në Korçë: Investuam miliarda, alternativa tjetër, bllokim dhe bojkot

Kryeministri i vendit, Sali Berisha ishte sot në Korçë ku inauguroi rrugën e re Zemblak–Liqenas, investim i buxhetit të shtetit me vlerë mbi 1 miliard lekë. Në fjalën e tij, kryeministri u shpreh se ky investim lehtëson lëvizjen mes Shqipërisë dhe Maqedonisë dhe premtoi mbështetjen e qeverisë për çdo projekt që zgjidh problemet në Prespë, ndërsa kujtoi se miliarda dollarë investime janë bërë në të gjithë Shqipërinë për zhvillimin infrastrukturor.
”Kjo qeveri i pa çështje serioze fermat tuaja, kemi investuar miliarda dollarë infrastrukturë, zotimi im është se do të asfaltojmë çdo kilometër rrugë të mbetur që fermerët dhe qytetarët e të gjithë vendit të udhëtojnë në rrugë moderne”, tha Berisha.
Ai akuzoi kryetarin e opozitës Edi Rama që për vite me radhë ka ofruar vetëm alternativën e bojkotit dhe bllokimit, duke penguar kështu qindra milionë investime të Bashkimit Europian, të cilat do ta transformonin më tej infrastrukturën e vendit.
“Po kush është alternativa tjetër? Tregoi se ishte bojkot dhe bllokim. Mbahet peng statusi i vendit kandidat me të cilin ju të dashur qytetarë do përfitoni qindra-mijëra turistë më shumë. 23 qershori po afron dhe jam i bindur se shqiptarët me mençuri, gjakftohtësi do të votojnë për Partinë Demokratike”, tha Berisha.
SHQIP
Add new comment