Berisha: Në këto zgjedhje e djathta shkon si shumicë dërrmuese

Kryeministri Sali Berisha deklaroi nga Shijaku, ku inauguroi një rrugë që lidh këtë qytet me Gjepalajn, se e djathta në këto zgjedhje është shumicë dërrmuese.
“Ne po shkojmë drejt zgjedhjeve të 23 qershorit, e djathta po shkon drejt këtyre zgjedhjeve si shumicë dërrmuese të shqiptarëve, shkon drejt këtyre zgjedhjeve si forca politike që anëtarësoi Shqipërinë në NATO, liberalizoi vizat, si forca politike që po ngre infrastrukturën më moderne më Shqipëri, ka zhvilluar Shqipërinë rurale, uli papunësinë. Partia Demokratike në 4 vitet që do të vijnë do të rendisë Shqipërinë në vendet e zhvilluara, do të shënojmë hapa drejt integrimit në BE. Ne jemi ndryshimi, përpara”, theksoi Berisha.
Kryeministri premtoi se në katër vitet e ardhshme do ndërtohen të gjitha rrugët në Shqipëri.
“Rruga bën të mundur tregtimin me shpejtësi të produkteve tuaja. Për ne zhvillimi rural është dhe mbetet përparësia më madhore për një Shqipëri të zhvilluar. Ndaj dhe jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për t’u ofruar fshatrave shqiptarë rrugët e shkollës”, deklaroi ai.
Kryeministri shprehu vendosmërinë e tij për një sistem vaditje modern dhe për të financuar me grante prodhimin bujqësor dhe blegtoral në vend.
“Do të finalizojmë në të katër anët e vendit rrugët, do të shumëfishojmë punësimin dhe prodhimin e këtyre zonave”,vijoi Berisha
TEMA
Add new comment