Berisha në forumin ekonomik: Jemi qeveri e taksave të ulëta

Kryeministri i vendit Sali Berisha ishte i pranishëm ditën e sotme në forumin ekonomik me temë: “Modeli i ri i zhvillimit të Shqipërisë”.
Në fjalën e tij me këtë rast, kryeministri Berisha vlerësoi resurset energjetike të vendit tonë, duke theksuar se 4 vitet e fundit kanë qenë më mirat në historinë e vendit në këtë sektor.
“Këto kanë qenë vite krize për ekonominë, por në Shqipëri në fushën e energjetikës kanë qenë vitet më të mira në histori. Qeveria shqiptare ka firmosur me shumë vende të ndryshme 127 kontrata për ndërtimin e 363 hidrocentraleve, nga 443 që janë për t’u ndërtuar, të nivelit të mesëm e të madh”, tha kryeministri.
Kreu i ekzekutivit theksoi se qeveria e tij është qeveri e taksave të ulëta dhe premtoi se është e vendosur në vijimin e reformave për lehtësirat fiskale, të cilat sipas tij gjatë mandatit të ardhshëm do të intensifikohen në marrëdhëniet e partneritetit publik-privat.
“Ne jemi forcë politike që besojmë në taksat e ulëta, qëndrojmë të vendosur në platformën tonë. Shqipëria është një vend për t’u konsideruar seriozisht për naftën”, tha kreu i qeverisë.
SHQIP
Add new comment