Berisha në Berat: Bëmë realitet të paimagjinueshmen, ju do të dini të zgjidhni

BERAT - "Shqipëria nuk mund të jetë vend i zhvilluar, pa një fshat të zhvilluar në shkallën e fshatrave të vendeve të zhvilluara". Kështu e ka nisur fjalën e tij me fermerët e Beratit sot pasdite kryeministri Sali Berisha.
Ai ka kujtuar se, në 2005 qeveria e tij përcaktoi këtë objektiv, që në pamje të parë dukej utopik, aspak realist. "Ne përcaktuam detyrën tonë, që kudo në Shqipërinë rurale të ndërtohej e njëjta infrastrukturë me lagjet e qyteteve. Të ndërtonim rrugë, kanale vaditjeje, shkolla, kanalizime me të njëjtat standarde me lagjet e qytetit", tha Berisha.
Kreu i qeverisë në prag të zgjedhjeve ka akuzuar Edi Ramën, si "të përzënë me votë nga Bashkia e Tiranës, sepse ka lënë pa asfaltuar në qytetin e Tiranës 250 kilometra rrugë dhe rrugica, sepse për ta ishte qendra dhe unë ndjehesha jo mirë. Kur shkoja në komuna të Durrësit, Krujës ishin të asfaltuara, ndërsa në Tiranë nuk ishin".
Si kundërpeshë Berisha ka bërë ekspozenë e një realiteti "të paimagjinueshëm". Kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1100 shkolla në fshatrat e vendit. Këta që na thoshin se nuk ekzistonin aq kilometra rrugë në Shqipëri, këta harrojnë relievin e Shqipërisë, që është një nga relievet më të vështira. Sot kemi arritur 8 mijë kilometra rrugë, do të shkojmë në 10 mijë kilometra. Do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë, aty ku fëmijët në fshat do ulen në banka si fëmijët e qytetit".
Berisha sulmoi programin e PS-së “Për një Rilindje Shqiptare’. Sipas Berishës në 8 vite, opozita nuk ka premtuar asgjë për fermerët, përvec naftës, e cila sipas tij avulloi në xhepat e socialistëve.
“Më thoni ju, në 8 vjet keni dëgjuar qoftë një propozim të vyer për ju përveç naftës?! Ato e dhanë, por avulloi në xhepat e tyre, nuk erdhi tek ju. Ne do veprojnë që çdo gjë të vijë tek ju. Thotë unë do heq TVSH-në për ushqimet, por kjo do thotë të godasësh çdo prodhim shqiptar. Unë nuk jam kundër konkurrencës, por unë jam për konkurrencë të ndershme. Kjo është politikë kokëposhtë e zotërisë së tij dhe do marrë përgjigjen e merituar më 23 qershor", tha Berisha.
Ai më tej iu kundërvu Ramës edhe tek taksat për bizneset. "Do t'i rrisë. Harrohet se agrobiznesi me të cilin ju jeni lidhur në mënyrë jetike, është nje nga bizneset jetësore, por nëse rrit taksat për bizneset e mëdha dekurajon që të investojnë, edhe investitorët e huaj. Ata më thanë që janë të shqetësuar. Nëse vendoset taksa progresive më thanë pse do vijnë në Shqipëri?! Jam i bindur se keni mençurinë, praktikën për të bërë zgjedhjen që ju nevojitet më shumë”, deklaroi Berisha.
Add new comment