Berisha, misionit të ODIHR: Të interesuar për numrin më të madh të vëzhguesve

TIRANE- “Qeveria shqiptare dhe Shqipëria mbeten thellësisht të vendosur dhe të interesuar për të ftuar në Shqipëri numrin më të madh të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare apo vendeve demokratike, për të vëzhguar zgjedhjet në Shqipëri”. Keshtu eshte shprehur kreu i qeverise, Sali Berisha gjate takimit me përfaqësuesit e Misionit të ODIHR-it për vlerësimin e nevojave përpara zgjedhjeve të ardhshme, kryesuar nga Nicola Schmidt, Zëvendësdrejtore e Departamentit të Zgjedhjeve në OSBE/ODIHR.
Në takim u diskutua mbi përgatitjet për infrastrukturën zgjedhore dhe u vlerësua në veçanti implementimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, të cilat janë reflektuar në kuadrin e përditësuar të zgjedhjeve.
Berisha e njohu znj. Schmidt me masat e fundit të ndërmarra përsa i përket rritjes së numrit të qendrave të numërimit dhe atyre të votimit, të cilat do të japin një kontribut të rëndësishëm në shpejtësinë e procesit dhe shpalljen sa më të shpejtë të rezultateve të zgjedhjeve, por njëkohësisht do t’ju shërbejnë qytetarëve duke eliminuar radhët e gjata në qendrat e votimit, ku tashmë qytetarët mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës së lirë në kohën më të shkurtër të mundshme.
Ai e njohu gjithashtu me dy projektet pilot që do zbatohen për herë të parë në Shqipëri sa i përket numërimit elektronik dhe kontrollit të kartave të identitetit, por edhe për kuadrin e përditësuar ligjor sa i përket financimit të partive politike gjatë fushatave elektorale, duke theksuar se fushata e ardhshme elektorale do të financohet tërësisht nga burimet e veta të partive politike dhe jo nga burimet publike.
“Kuadri i përditësuar ligjor i zgjedhjeve në Shqipëri ka adresuar qartësisht të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe është miratuar bazuar tërësisht në sugjerimet e opozitës shqiptare, ndërkohë që Shqipëria ka sot infrastrukturën më të mirë që ekziston sa i përket sistemit të numërimit, të cilat të marra sëbashku përbëjnë një garanci të madhe për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe zhvillimin e zgjedhjeve të mira në përputhje me standardet ndërkombëtare”- tha Berisha.
Në përfundim, Schmidt theksoi se vendosmëria dhe angazhimi që ajo ka evidentuar si nga Kryeministri Berisha, ashtu dhe nga aktorët e tjerë politikë për të zhvilluar zgjedhje të mira është parakushti dhe garancia më e mirë që procesi i zgjedhjeve të 23 qershorit të zhvillohet në përputhje me standardet ndërkombëtare të lira dhe të ndershme.
PANORAMA
Add new comment