Berisha: Mbështetje fermerëve

Kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë paraditen e së shtunës në përurimin e një fabrike bimësh mjekësore, prej nga ka shprehur mbështetjen e tij për fermerët.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri ka theksuar se, kabineti i tij ka hartuar një kuadër ligjor tepër të përshtatshëm për këtë kategori biznesi, përmes një seri subvencionesh.
“Do dyfishojmë sipërfaqen e mbjellë me sherbel në vend. Sot janë qindra familje që marrin të ardhura shtesë për bimët mjekësore që mbledhin. Qeveria ka krijuar një kuadër ligjor shumë të përshtatshëm për ta, ajo do të subvencionojë farat, fermat dhe do të organizojë mbrojtjen e plantacioneve nga shkatërrimi”, ka deklaruar Berisha.
Kreu i qeverisë ka vlerësuar se, eksportet e të mbjellave arrijnë në 30 milionë dollarë dhe sipas tij ato mund të rriten deri në 20 herë.
Më pas Berisha ka premtuar angazhimin e mëtejshëm të qeverisë së tij për rritjen ekonomike dhe shtimin e vendeve të punës, që sipas tij do të arrihen përmes investimeve në infrastrukturë.
“Ne do bëjmë gjithçka që klima për biznesin të njohë përmirësime të mëdha. Do bëjmë gjithçka që punonjësit të shpërblehen me rroga më të mëdha. Do bëjmë gjithçka për të lehtësuar dhe inkurajuar investimet. Çdo investim që do të bëhet tani e tutje do të jetë pa asnjë tarifë doganore, pa asnjë taksë të vlerës së shtuar”, ka thënë Berisha.
“Punësimi është rritur me 30 për qind, ndërkohë që ne do krijojmë edhe 30 mijë vende të reja pune. Shumë shpejt do fillojë projekti i kaskadës së Devollit, që do punësoj 4 deri në 5 mijë punëtorë, por janë edhe dhjetëra hidrocentrale të tjera”, ka vijuar ai.
TOP CHANNEL
Add new comment