Berisha jep dorëheqjen tek Nishani dhe shpall grevën e heshtjes 24 orëshe

Postuar në 09 Shtator, 2013 14:55

Sali Berisha i ka dorëzuar sot dorëheqjen Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Berisha ka shkuar rreth orës 13:10 në selinë e Presidencës ku është pritur nga Nishani, të cilit i dorëzoi detyrën e Kreut të Ekzekutivit, për t`i hapur formalisht rrugën krijimit të Qeverisë së re.

“Presidenti Nishani, pasi e falënderoi Kryeministrin në detyrë Sali Berisha për bashkëpunimin e frytshëm institucional dhe njerëzor, vlerësoi rolin politik dhe  kontributin personal të zotit Berisha dhe të Qeverive që ka kryesuar në ndërmarrjen e reformave institucionale, politike dhe ekonomike. Në arritje të tilla si anëtarësimi i vendit në NATO, pavarësinë e Kosovës dhe shtimin e njohjeve të saj, liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, realizimin e projektit TAP, investimet në infrastrukturë, etj, sipas Presidentit Nishani “roli dhe kontributi institucional dhe personal i Kryeministrit dhe politikanit Berisha kanë qenë domethënës””, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ndërkohë kryeministri në detyrë Sali Berisha shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin dhe rolin institucional të Presidentit Nishani.

Tashmë kreu i shtetit ka afat 10 ditor për të dekretuar qeverinë e re “Rama”. Kreu i shtetit, Bujar Nishani, u shpreh para pak ditësh gjatë një emisioni televiziv se “me të ardhur propozimi brenda datës 10 shtator mund të dekretohet kryeministri i ri”.

Berisha: Shpalla grevën e heshtjes 24 orëshe

Pas dorëheqjes, Sali Berisha ka vendosur të shpallur grevë heshtje 24 orëshe. Vendimin e ka bërë të ditur në rrjetin social “Facebook”, ku shkruan se solidarizohet me mediat kundër standartit të neobllokmenëve!

“Të dashur miq, në shenjë solidarizimi me mediat e vendit dhe protestë ndaj Kodit të Censurës për mediat të Piktorit dështak dhe ekipit të tij, sot vendosa të shpall grevën 24 orëshe të heshtjes dhe të komunikoj çdo gjë me ju nëpërmjet rrjetit tonë social të FB. Po kthehet standarti i territ, kushtrimi i të parëve. Ne do ta sfidojmë”, shkruan Berisha.

9 shtator 2013 (gazeta-Shqip.com)

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.