Berisha-ish të përndjekurve: Kërkoj durimin tuaj

TIRANË Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar dje mirëkuptimin e ish të përndjekurve dhe ish-pronarëve lidhur me problematikën që ka shoqëruar prej vitesh këto dy kategori. Gjatë një bashkëbisedimi të zhvilluar me qytetarë të Velipojës, Berisha foli fillimisht për ndryshimet e vazhdueshme që i janë bërë ligjit të ish të përndjekurve politikë në funksion të dëmshpërblimit. ”… Dëmshpërblimi mund dhe duhet të jetë më i shpejtë dhe do të bëjmë gjithçka për ta shpejtuar. Por ka dy gjëra dhe unë kërkoj mirëkuptim. Çfarë ka ndodhur në këtë ligj? Ky ligj ka ardhur duke u plotësuar vazhdimisht. Edhe tani janë 8 mijë emra të rinj, të cilët duhet të futen në proces dhe është shumë e drejtë të futen, pritet të mblidhet parlamenti për të amenduar ligjin dhe për t’i futur ata. Megjithë këtë, unë besoj se puna e bërë deri më tani dhe përfshirja e këtyre 8 mijëve krijon baza ligjore më të plota për shpejtimin më të madh të këtij procesi”, – tha ai duke e krahasuar procesin e ndjekur me vende të tjera ish-komuniste. “Vendet e tjera kanë përdorur praktika krejt të tjera. Disa prej këtyre vendeve iu kanë lidhur një pension të mirë dhe kaq. Të tjera iu kanë bërë një dëmshpërblim simbolik, ne kemi vendosur dëmshpërblim të plotë dhe kështu duhet. Kjo kërkon vetëm një gjë. Durimin e atyre që dëmshpërblehen, sepse natyrisht është e pamundur, pavarësisht dëshirës, që kjo të bëhet në mënyrë më të shpejtë…”,- shtoi ai. Thuajse të njëjtin mesazh Berisha përcolli edhe për një tjetër kategori, ish-pronarët. Kryeministri foli edhe për përmbytjet në Shkodër, duke theksuar se dëmshpërblimi ndaj familjeve të përmbytura u vonua për shkak të vështirësive që kishte KESH. “Unë qëndroj garant i juaji se do të paguhet çdo gjë, veçse kërkoj mirëkuptim nga ju. Ato nuk jua paguan qeveria dhe nuk keni pse t’ia dini për nder. Juve ua paguan ligji. Ne kemi bërë ligjin që çdo metër katror që përmbytet nga digat do të paguhet nga pronari i digave. Ne qëndrojmë garantët tuaj. Kjo do të zbatohet. Nuk u zbatua dot një vit e gjysmë, sepse borxhliu ishte në gjendje shumë të vështirë. KESH-i ishte pothuajse në prag falimentimi për shkak të ujërave. Ndërsa tani është në gjendje të mirë dhe do ta shpërblejë qindarkë për qindarkë të gjithë detyrimin. Qeveria nuk i merr ato para, por qeveria i thotë shlyej një herë borxhet, pastaj na i jep ne”, – tha ai. Ndërsa dje pasdite, kreu i ekzekutivit prezantoi kandidatët e qarkut të Lezhës në një tubim elektoral të zhvilluar në Kurbin. Referuar etiketimit të përditshëm si “gjysh” nga ana e liderit të opozitës, kryeministri Berisha tha se Rama nuk mund ta kuptojë këtë, pasi ka kaluar vitet e rinisë pa rini dhe ato të burrërisë pa burrëri. “Prej 3 javësh merret me nipërit e mbesat e mia dhe Sali Berishën, gjyshin e tyre. Çdo ditë njeriut ia jep Zoti, por më të bekuara mbi tokë janë ato vite kur jeton si gjysh i nipërve dhe mbesave të tu, këtë e ka të qartë çdo njeri, përveç atij që ka patur vitet e rinisë pa rini, vitet e burrërisë pa burrëri. Kjo nuk është çështja jonë”,- tha ai. Gjatë ditës së djeshme Berisha mori pjesë në inaugurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e hidrocentraleve në Gojan, Gjegjan, Peshqesh, diga e Urës së Fanit dhe hidrocentrali i Fangut, të cilat do të ndërtohen në rrjedhën e lumit Fan i Madh dhe Fan i Vogël nga kompania turke ‘Aydiner’, investim me vlerë 146 milionë euro. Ai vijoi axhendën e tij edhe me një tjetër inaugurim, atë të rikonstruksionit të rrugës Baks-Rrioll, investim me vlerë 242 milionë lekë. Rruga me gjatësi 8,2 kilometër, dhe gjerësi asfalti 6 metra, lidh rrugën Shkodër-Velipojë me fshatrat Baks i ri, Baks i vjetër, Gaduç, Rrjoll dhe Malikolaj.
Ish të përndjekurit
“Vendet e tjera kanë përdorur praktika krejt të tjera. Disa prej këtyre vendeve iu kanë lidhur një pension të mirë dhe kaq. Të tjera iu kanë bërë një dëmshpërblim simbolik, ne kemi vendosur dëmshpërblim të plotë dhe kështu duhet. Kjo kërkon vetëm një gjë. Durimin e atyre që dëmshpërblehen, sepse natyrisht është e pamundur, pavarësisht dëshirës, që kjo të bëhet në mënyrë më të shpejtë…”
MAPO
Add new comment