Berisha: Investime të mëdha në shëndetësi

Kryeministri Sali Berisha inauguroi Korpusin e Spitalit të Pogradecit dhe i shprehu mirënjohjen mjekëve e infermierëve për punën e tyre.
Kreu i Partisë Demokratike listoi arritjet e shëndetësisë gjatë qeverisjes së djathtë: “Vdekshmëria foshnjore nga 2005-2011 u përgjysmua, gjithashtu është ulur vdekshmëria amtare. Kjo është meritë e mjekëve dhe infermierëve. Renditemi të tretët përsa i përket aksesit të lirë në kujdesin shëndetësor të qytetarëve. Jemi të vendosur të ecim me reformën në sistemin shëndetësor dhe kemi mobilizuar fonde të mëdha për rindërtime spitalesh në mbarë vendin. Pensionistët kanë të rimbursuar 100% ilaçet, ndërsa të sëmurët me sëmundje të rënda kanë rimbursim mesatar. Fondi i rimbursimit është 8.4 miliardë, duke shënuar rritje të madhe që nga 2005.”
Më tej, Berisha shtoi: “Sot Shqipëria qëndron në krye të listës së vaksinimit. Investime të mëdha janë bërë për aparatura dhe logjistikë. Kemi investuar miliona euro në të gjitha spitalet e vendeve për metodat moderne të diagnostikimit. Kemi ende rrugë për të bërë dhe duhet të përmirësojmë menaxhimin, por ata që mohojnë kontributin tuaj të jashtëzakonshëm dhe sakrificat bëjnë një gabim të madh.”
TOP CHANNEL
Add new comment