Berisha i jep edhe 20 milionë lekë "Podestës"

Postuar në 14 Shtator, 2013 09:21

- Zbulohet shkaku i “defektit” në faqen online të Degës së Thesarit. Publiku nuk duhej të njihej me një pagesë të paligjshme dhe amorale që po bënte qeveria “Berisha”. Me paratë e taksapaguesve shqiptarë po paguhej kompania që zhvilloi fushatën e PD-së. “Shekulli” ka vërtetuar se kompanisë amerikane “Podesta” i janë bërë pagesa më 2 shtator.

“Podesta” paguhet edhe për tetorin!!!

Qeveria Berisha edhe në ditët e saj të fundit nuk ka harruar që të shpërblejë miqtë e saj për kontributin që kanë dhënë pushtetin e së djathtës në Shqipëri. Vetëm pak ditë nga largimi i saj, qeveria shqiptare do të derdhte për lobimet edhe pagesën e fundit prej rreth 20 milionë lekësh.

Bëhet fjalë për pagesën e bërë kundrejt kompanisë së lobimit “Podesta”, e cila ka pasur edhe një kontratë afatgjatë me qeverinë shqiptare për lobimin pranë institucioneve ndërkombëtare apo shteteve të tjera në lidhje me arritjet e qeverisë “Berisha”. Por ajo qëbie më shumë në sy është pikërisht afati tremujor për të cilën është bërë pagesa me numër fature 26596.

Sipas pagesave zyrtare të bëra nga Ministria e Financave, kontrata me kompaninë e lobimit vijon edhe për Shtatorin dhe për Tetorin e këtij viti, ndonëse për këto dy muaj vendi do të qeveriset tashmë nga koalicioni i majtë me kryeministër Edi Ramën. Ministria e Financave ka derdhur për llogari të Këshillit të Ministrave, në llogari të “Podesta Group” për muajt gusht, shtator, tetor 2013, jo pak, por 19 414 080 lekë. Marrëveshja e bashkëpunimit midis qeverisë “Berisha” dhe “Podestës” është lidhur më 1 .5.2013.

Dyshimet rriten edhe më shumë, pasi Dega e Thesarit nuk publikonte të dhënat në faqen e Ministrisë së Financave për muajin gusht dhe 11 shtator. Të gjitha kontaktet për mbrojtjen e imazhit të qeverisë së Berishës janë kryer përgjatë kësaj periudhe nga dy kompanitë lobuese “Podesta Group” dhe “Patton Boggs”. Sikur të mos mjaftonte vetëm një kompani, shteti shqiptar ka lidhur dy kontrata me të njëjtën fizionomi.Kompania amerikane e lobimit, “Patton Boggs” ka dhënë dorëheqjen nga puna si mbrojtëse e imazhit të kreut të ekzekutivit shqiptar. Vendimi është marrë menjëherë pas humbjes së thellë të partisë së Berishës në zgjedhjet e 23 qershorit.

Dokumenti zyrtar është depozituar pranë zyrës së zyrës së regjistrit të financave të SHBA, që mban firmën e kompanisë së njohur lobiste “Patton Boggs”, e cila njofton institucionet amerikane përkatëse se ajo nuk përfaqëson qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe se nuk ka ndonjë marrëveshje. “Ju lutem bëni efektive këtë kërkesë, të çregjistroni këtë firmë nga FARA (Foreign Agents Registration) si përfaqësuese e Republikës së Shqipërisë. Firma nuk ka një marrëveshje me këtë aktor të huaj dhe ka pushuar kryerjen e veprimtarisë regjistruese në emër të qeverisë së Republikës së Shqipërisë”, thuhet në dokumentin e depozituar nga “Patton Boggs”.

Shkresa zyrtare mban datën 23 gusht. Kjo është shkëputja e bërë nga kjo firmë, e cila në të njëjtën kohë njofton se punonjësit e saj, ekspertët e kësaj firme nuk punojnë për qeverinë “Berisha”. “Përveç kësaj, ju lutem ndërprisni formularin e regjistrimit (Short-Form Registration) të Graham Wisner, Taryn Frideres dhe Mattheë Oresman për punën e ardhshme në emër të qeverisë së Republikës së Shqipërisë”, thuhet në pikën 5 të formularëve të “Patton Boggs”.

Shekulli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.