Berisha: Heqja e TVSH-së për qumështin, grurin dhe miellin rrënon fermerët

Postuar në 09 Prill, 2013 08:45

 

SHIJAK - Kryeministri Berisha ka sulmuar sot alternativën e Partisë Socialiste për heqjen e TVSH-së për qumështin, grurin dhe miellin, pasi, sipas tij, "kjo rrënon fermerët". Këtë e ka bërë gjatë një bashkëbisedimi me fermerë e blegtorë në Shijak, kryeministri Berisha. Ai i ka etiketuar propozimet e kreut socialist, Edi Rama edhe si "alternativa mavi".

“Alternativa mavi thotë, se do të heqë TVSH-në për prodhimet e qumështit. Por ne sot prodhojmë 343 litra qumësht për frymë dhe nëse heqim TVSH-në për qumështin që vjen nga vende të tjera, konkurrenca bëhet e pandershme. Ideja mavi për të hequr TVSH-në për qumështin, grurin, miellin është si të rrënosh fermerët tanë. Kjo nuk do të ndodhë, nuk ka shans” tha Berisha. Ndërsa e cilësoi zhvillimin rural të vendit si përparësia më madhore e qeverisë, kryeministri Berisha premtoi 3-fishimin e granteve për fermerët.

“Për ne, për qeverinë time, për PD-në zhvillimi i qëndrushëm rural, zhvillimi i bujqësisë dhe i të gjithë sektorëve të saj mbeten përparësia absolute. Në projektin tonë “Shqipëria e zhvilluar” ne besojmë që ky projekt kalon në zhvillimin rural dhe në zhvillimin e fshatit shqiptar. Ndaj dhe ne në një nga aktet më madhore për të dëshmuar këtë interes ne dyfishuam pensionet në fshat dhe kemi angazhuar më shumë se 60 përqind të të gjitha investimeve në Shqipërinë rurale sepse ajo e tëra ishte Shqipëria e baltës", ka thënë Berisha.

Duke shtuar se, qeveria e tij ka financuar grante nga 2007-ta e deri sot në 42 mijë familje ka subvencionuar 35 mijë fermerë me 10 lekë për kg qumësht. Gjatë viteve të ardhshme do të trefishojmë mbështetjen për fermerët. Por ne bëmë një gjë tjetër të madhe: hoqëm çdolloj takse dhe tarife, që duhet për fermat tuaja e ka mundësi që ky të jetë i vetmi vendim që ndonjë vend ka ndërmarrë ”.

Kryeministri Berisha ka kërkuar nga fermerët, që të guxojnë për të zhvilluar projekte, të cilat do të sjellin suksesin e fermave të tyre.

“Çfarë tregon sot zhvillimi i bujqësisë në botë? Tregon se kur përqendrohesh për ta zhvilluar, mund ta dhjetëfishosh, jo dy apo trefishosh, por dhjetëfishosh prodhimin. Pra, duhet të kemi kurajo, duhet t’i besojmë projekteve, me anë të të cilave mund ta bëjme bujqësinë shumë më të begatë”, tha Berisha.

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.