Berisha hap qeverinë për të përndjekurit dhe shoqërinë civile

Postuar në 04 Prill, 2013 08:10

 

Visar Zhiti te Kultura, Halim Kosova te Shëndetësia, Mima te Ekonomia dhe Bumçi te Diplomacia. Presidenti Nishani dekreton emrat e rinj. Mazhoranca synon 74 vota sot në Kuvend për emërimin e ministrave. Dritan Prifti, Asllan Dogjani por edhe Kadeli sinjale për të mbështetur qeverinë e re. Ndërkohë, Dule takoi mbrëmë Edi Ramën.

TIRANË Në më pak se tre muaj para zgjedhjeve, kryeministri Sali Berisha riformaton qeverinë me emra të rinj, që, për hir të së vërtetës, do të kishin impaktin e duhur nëse do të emëroheshin në një kohë më të hershme. I detyruar nga largimi i LSI-së, që u zyrtarizua përmes një vendimi formal të kryesisë së kësaj force politike, Berisha bëri lëvizjen e shpejtë, duke propozuar tre emra të njohur në fushat që ata do të drejtojnë. Berisha ka firmosur për Halim Kosovën në postin e ministrit të Shëndetësisë, gjinekolog i njohur, aktualisht drejtor i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”. Kosova vjen si prurje e shoqërisë civile, i paangazhuar më parë në asnjë forcë politike. Me emërimin e emrave të rinj, Berisha bën edhe një zhvendosje në poste. Ai dërgon Aldo Bumçin nga Ministria e Kulturës te Ministria e Jashtme, dikaster të cilin Bumçi e ka synuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005. Në vend të Bumçit, Berisha sjell një emër të njohur, shkrimtarin Visar Zhiti, i cili me gjithë hezitimin e tij disaminutash për ta pranuar këtë detyrë, do të përfaqësojë njëkohësisht edhe shtresën e ish-të përndjekurve politikë. Në postin e ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës emërohet deputeti demokrat Florian Mima. Në zgjedhjet parlamentare të 2005-ës Mima erdhi si prurje e KOP-it, duke u emëruar fill pas zgjedhjeve në postin e zv.ministrit të Financave. Në zgjedhjet e 2009-ës Mima u zgjodh deputet dhe prej gati katër vjetësh ai ka qenë anëtar i PD-së në komisionin e Ekonomisë. Ai njihet për eksperiencën e tij në reformat ekonomike dhe fiskale. Tre emrat e rinj për ministra janë dërguar mbrëmë në Presidencë nga vetë kryeministri Berisha, ndërsa sot pritet miratimi i tyre në Kuvend. Një orë pas emërimit të tre ministrave, Kryeministri firmosi edhe emrin e zv.kryeministrit. Ai është Myqerem Tafaj, i cili aktualisht mban postin e ministrit të Arsimit. Ndërkohë mbrëmë vonë, Presidenti Nishani dekretoi të gjitha emrat e rinj.

Mbledhja e qeverisë

Kryeministri nuk kishte gjë për t’i shtuar deklaratës së mbajtur dy ditë më parë lidhur me LSI-në në mbledhjen e radhës së qeverisë. Duke pasur në krah zv.kryeministrin dhe ministrin e METE-s, Edmond Haxhinasto, Berisha foli për rëndësinë e ndërtimit të Xhamisë së madhe në zonën e Namazgjasë, por në asnjë moment të fjalës së tij nuk përmendi LSI-në. Nuk e ka bërë këtë gjë as në mbledhjen me dyer të mbyllura të qeverisë, ndërkohë që ka shfrytëzuar vizitën e tij në ambientet e kompanisë së përpunimit të peshkut “Koral”, në Durrës, (ku kishte edhe shumë ngjala) për të lëshuar shpotitjen e parë ndaj aleancës PS-LSI. ”Le të ecim ne drejt mandatit të sigurt, drejt mandatit të tretë, t’u lëmë atyre ngjalat, që unë sapo i pashë poshtë”, – tha ai.

Votat në Kuvend

Pas batutës me ngjala të Berishës, kryetari i PS do të komentonte në faqen e tij në Tëitter fenomenin tjetër që po përflitet prej dy ditësh, atë të votimit pro ministrave të rinj nga disa deputetë të së majtës. “Ekranet e paradites zhurmojnë nga grahmat e fundit të pushtetit që po flet përmes ‘opozitarësh të zhgënjyer’! Saliu po ha peshqit e fundit:-)”, shkruan Rama. Por në fakt “peshqit e fundit” janë pikërisht ata deputetë të cilat janë larguar apo përjashtuar nga PS-ja si rezultat i konfliktit të lindur me vetë kreun e opozitës. Në seancën e sotme parlamentare pritet që të kalojnë për votim tre emrat e rinj për ministritë që la LSI-ja si dhe emri i zv.kryeministrit. Dy ditë më parë, Berisha tha se mazhoranca ishte solide dhe se ajo do të konfirmohej si e tillë edhe gjatë votimit të këtyre emrave. Paralelisht me sigurinë e Berishës, zyrtarë të lartë demokratë filluan një proces negociatash intensive me disa prej deputetëve aktualisht të pavarur, si Kastriot Islami, Asllan Dogjani apo Dritan Prifti. Dy të fundit nuk kanë përjashtuar në deklarimet e djeshme mundësinë e votimit të emrave të rinj, ndërkohë që listës mund t’i bashkohet edhe Gjovalin Kadeli, deputet i PS-së së Lezhës, i cili nga dje u vetëshpall si kandidat i pavarur. Nëse do të marrin të mirëqenë votën e tyre, mazhoranca do të shënojë sot 73 vota pro, ndërsa nuk dihet qëndrimi i kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule. Ky i fundit është takuar mbrëmë me kryetarin e PS-së, Edi Rama. Ndërkohë, prej dy ditësh, zyrtarë të lartë demokratë janë shprehur se mazhoranca synon të arrijë 74 vota, për të treguar se edhe pas largimit të Metës ajo do të ruajë mazhorancën në mënyrë solide deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.