Berisha: Gjithçka për suksesin e bizneseve

Kryeministri Berisha ka mbledhur Task-Forcën rregullatore, ku tema e diskutimit është biznesi dhe ekonomia në Shqipëri. Kryeministri ka premtuar reforma të mëdha në këto fusha, për të arritur sukses.
Në bashkëbisedimin e tij me përfaqësuesit e biznesit, Kryeministri Berisha u shpreh i gatshëm që të mirëpresë të gjitha propozimet e ardhura prej kësaj kategorie, e vlerësuar si gjenerator i zhvillimit ekonomik në vend.
“Në gjithë përpjekjen tonë për lirinë e tregut kemi bërë një hap të madh përpara në drejtim të heqjes së 2/3 të licencave, por në këtë proces në mënyrë të pashmangshme për një arsye apo tjetër ka pasur shndërrim të tyre në autorizim. Nga ana tjetër s`mund të mohohet se edhe eksperienca e këtyre viteve jep informacionin e qartë mbi qëndrimet që duhet të mbahen. Shqipëria është e vendosur të krijojë mjedisin më liberal dhe më të lirë për tregun. Nga 100 kënde po të vështrosh rritjen ekonomike, gjeneratori kryesor i saj është liria e tregut, është tregtia e lirë. Asgjë nuk ka rëndësi jetike sesa tregtia e lirë. Janë të rëndësishme taksat në mënyrë të padiskutueshme, janë të rëndësishme burimet por njëshi është liria e tregtisë. Dhe i tërë ky proces do të ketë kontrollin më minimal të mundshëm sepse kontrolli është ndrydhja e saj. A mund të mos ekzistojnë? Natyrisht që jo, sepse shoqëria duhet të ketë një mekanizmin për të mbrojtur edhe tregun për qytetarët, por a është e mundur që ato të minimalizohen po kjo mund të ndodhë”-, ka theksuar kryeministri.
Gjithashtu kryeministri e cilësoi reformën e inspektimit si shumë të rëndësishme pasi sipas tij do të bëjë të mundur eleminimin e inspektimeve abuzuese ndaj biznesit.
“Reforma e inspektimit është një nga reformat më të mëdha dhe më të rëndësishme që është realizuar në këtë vend. Dhe kjo ka pasur një synim heqjen nga shpatullat tuaja të barrës së rëndë të inspektimeve të cilat po grabisin 45 ditë dhe kishin një kosto shumë të lartë, 1 mijë euro në mesatare. Është bërë një punë e jashtëzakonshme për të thjeshtuar nga 36 në 11 inspektoriate, për të krijuar një inspektoriat qendror me qëllimin e vetëm do të kontrollojë ndershmërinë dhe ligjin e kontrolleve mbi ju. Po vendoset sistemi online që inspektorët të lënë gjurmë dhe mos të vijën tek ju sa herë t`u teket. Kjo reformë përbën një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv në qëndrimin e administratës ndaj biznesit, dhe një përpjekje në luftën kundër arbitraritetit dhe një përpjekje shumë e madhe për një kontroll të ndershëm. Ka mbi 2 vjet që punohet në këtë reformë, janë ndryshuar me dhjetëra ligje dhe po ecet drejt instalimit të këtij sistemi të ri. Kemi zgjedhur sistemin më modern që ekziston dhe kjo kërkon një bashkëpunim me ju për ta kthyer në një histori suksesi”-nënvizoi Berisha.
SHEKULLI

Add new comment