Berisha: Fshesa e Ramës në administratë rrezikon ta lërë vendin pa fondet e BE

Kryeministri në detyrë, Sali Berisha zhvilloi sot mbledhjen e qeverisë, të cilin e nisi me një paralajmërim për rrezikun që Shqipëria të mos mundet të përfitojë fondet e BE, edhe nëse arrin ta marrë statusin, për shkak të reformës së paralajmëruar nga kryeministri i ardhshëm, Edi Rama në administratë. Kjo, pasi sipas Berishës, me fshesën e premtuar nga Rama në administratë, do tç largohen njerëz të kualifikuar që janë marrë për vite me radhë me këtë projekt dhe do të ulen në karrige njerëz që nuk kanë dëgjuar kurrë për të.
“Mbetet problem serioz faktorin kushërirë që drejton tenderin e fshesës ndaj administratës, është zgjedhur me përparësi të madhe dhe imagjinoni një investim kolosal që është bërë të futet në rrethin e kuq pa u ulur akoma dhe të zëvendësohet me njerëz që nuk kanë dëgjuar kurrë për këtë projekt. Kjo do të thotë se vendi mund të marrë statusin, mund të mos përfitojë fondet që rrjedhin nga marrja e tij”, – tha Berisha.
Berisha nuk i kurseu edhe një herë akuzat ndaj Ramës si bllokues për tre vite me radhë i statusit kandidat në BE nga e cila shqiptarët humbën me miliona dollarë investime, ndërsa shprehu shpresën që statusi mund të arrihet në dhjetor, pas votimit të tre ligjeve në kuvend.
“Prej 3 vitesh, zoti Rama i bllokoi në qindra e qindra milionë dollarë qytetarëve shqiptarë, duke u bërë faktor i thellimit, rëndimit të problemeve ekonomike të qytetarëve shqiptarë. Por më në fund, pas ligjeve që votuam, shpresojmë që statusi të merret në dhjetor. Shqipëria e meriton dhe i ka shumë të nevojshme fondet për t’u bërë një vend i zhvilluar”, u shpreh ai.
Berisha e mbylli mbledhjen me një batuta ndaj gazetarëve të pranishëm të cilëve iu tha: “Tani pas mbledhjes, nisuni dhe ju në Vlorë, por mos harroni merrni me vete rrobat e banjës”, duke iu referuar mbledhjes së parë të qeverisë së re Rama në Vlore, që do të mbahet sot.
SHQIP
Add new comment