Berisha flet për herë të fundit nga poltroni i Kryeministrit

Postuar në 05 Shtator, 2013 09:38

Sali Berisha po zhvillon sot mbledhjen e fundit të qeverisë së tij në drejtimin e së cilës ishte për 8 vite me radhë. Ai ka folur nga poltroni i kryeministrit për herë të fundit duke i dhënë të paktën de fakto fund karrierës së tij politike. Kryetari i parë i partisë së parë pluraliste në vend, më pas presidenti i parë i zgjedhur pas vendosjes së pluralizmit politik, i rikthyer në pushtet pas 8 viteve të vështira opozite ku doli pas ngjarjeve të vitit 1997, ai drejtoi kësaj here si kryeministër qeverinë në dy mandate. Sot Berisha po zhvillon mbledhjen e fundit të qeverisë pas humbjes së zgjedhjeve më 23 qershor dhe dorëheqjes si kryetar i Partisë demokratike. E vështirë të besohet se Sali Berisha do të “dalë në pension politik”, por zyrtarisht ai është jashtë politikës.

 

Shifra për 8 vite qeverisje    

Kryeministri në detyrë Sali Berisha në një fjalim të gjatë para ministrave të tij, një fjalim përmbledhës për punën e qeverisë në 8 vite foli me gjuhën e shifrave, por nuk harroi të atakonte mazhorancën e re se ka qënë jokonstruktive si opozitë duke e bërë fajtore për mosmarrjen e statusit kandidat për në BE.

“Kjo është mbledhja e fundit pas 2 mazhorancash, kjo është mbledhja e 425 në 8 vite, në të cilat janë miratuar mbi 7255 mijë vendime e ligje”, tha ai.

Berisha tha se dy ishin qëllimet e tij si kryeministër në 8 vite, integrimi euroatlantik dhe Shqipëria vend i zhvilluar. Para 8 vitesh sipas tij, integrimi ishte një çështje e ngrirë për Shqipërinë. Ai akuzoi qeverisjen e para tetë viteve se vendosnin interesat personale para atye kombëtare, se ushqenin konsolidimin e sistemit të korrupsionit dhe se nuk luftonin krimin e organizuar.

“Të dashur qytetarë shpreh mirënjohje për besimin që na dhatë në 8 vite. Që ditën e parë dhe gjer më sot dy kanë qenë objektivat, qëllimet e të gjitha qëllimeve. Me bindjen më të thellë se ato ishin interesat më jetike të cdo fëmije, burri, gruaje apo të moshuari. Ato ishin dhe mbeten, integrimi në BE dhe Shqipëria vend i zhvilluar. 8 vite më parë procesi i integrimit ishte i ngrirë, jo për shkak të partnerëve ndërkombëtarë por për shkak të papërgjegjësisë të atyre që qeverisnin, të cilët vendosnin interesat meskine të pushtetit të tyre mbi interesat jetike të qytetarëve dhe kombit shqiptar. Shqipëria kishte hapur negociatat për marrëveshjen e stabilizim-asocimit, po firmosja e kësaj marrëveshje largohej se Shqipëria bënte zgjedhje të dhunuara, konsolidonte sistemin e korrupsionit nuk luftonte krimin e organizuar, pushteti bashkëjetonte me bandat më të rrezikshme të Europës. Këto ishin faktorët dhe rrethanat që kishin ngrirë procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik”, tha Berisha. Kryeministri renditi më pas arritjet e qeverisë së tij që nga anëtarësimi në NATO, heqja e vizave dhe deri tek dorëzimi i kërkesës për marrjen e statusit kandidat në BE, që sipas tij, ‘Shqipëria do ta marrë në dhjetor’, pas bllokimit që i bëri opozita.

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.