Berisha: Do t’i votojmë 3 ligjet, Rama e Meta pazar me statusin

Postuar në 05 Maj, 2013 10:02

 

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se maxhoranca do të pranojë të votojë tri ligjet e integrimit, por sipas tij përgjegjësia do të bjerë mbi opozitën.

Nga qyteti i Lezhës, ku Kryeministri mori pjesë në inaugurimin e rikonstruksionit të rrugës Lezhë-Kala, Berisha tha se kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, me qëndrimin e tij tregoi se po bën pazare me Ilir Metën dhe se po e shndërron statusin e vendit kandidat si “pallatin në pajë”. Berisha ironizoi edhe me koalicionin PS-LSI, kur iu referua deklaratës së deputetit Pandeli Majko, që sipas tij e quajti koalicioni i 1 prillit. “Por, opozita shqiptare gjykoi: më mirë të bllokohet statusi, sesa të vlerësohet qeveria. Komisioni Europian, kur ligjet nuk u votuan në nëntor, deklaroi se u japim afat deri në mars t’i votoni, në mënyrë që në mars t’ju japim statusin. U bë gjithçka që të mos votoheshin dhe tani i bënë ligjet si pallati në pajë. E bënë pazar votimin e tyre. Ne do të votojmë, por mbi ta do të rendojë akti më i papërgjegjshëm. Ata tregojnë se s’kanë asnjë princip, se principi i tyre është pazare dhe vetëm pazare dhe jo interesat e qytetarëve, jo interesat e qytetarëve të Lezhës dhe të Shqipërisë, që me statusin e vendit kandidat do të merrte qindra milionë euro investime, për rrugët, urat, kanalizimet, shkollat dhe investimet private. Ata ndoqën thjesht interesat e marrëveshjeve, të cilave, e vërteta është se cilësimin më të bukur ua bëri zoti Majko, si marrëveshje të 1 prillit”, tha dje Berisha. Shefi i qeverisë tha dje se Edi Rama me premtimin e rritjes së taksave largoi investitorët e huaj nga Shqipëria. Kryeministri premtoi se “në 4 vitet që vijnë do të ketë ulje të mëtejshme të taksave. Ne po ecim drejt këtyre zgjedhjeve me një program më konkret se kurrë ndonjëherë. Me një program që do të ketë efekt ndryshues”.

 

 

 

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.