Berisha: Do rrisim vazhdimisht pagat për mësuesit pa hyrë në borxh

Postuar në 02 Mars, 2013 14:44

 

Kryeministri Sali Berisha, gjatë një takimi me mësues dhe pedagogë të Elbasanit, deklaroi se do të vazhdojnë të rrisin pagat për mësuesit dhe pedagogët, pa marrë para borxh.

“Ne takohemi sot në këtë sallë, pasi kemi rritur rrogat e mësuesve në një shkallë të atillë që nuk i ka rritur në përqindje asnjë vend tjetër në Europë e më gjerë; mësuesit e arsimit parashkollor, në vitin 2005 kishin një rrogë prej 200 mijë lekë, sot e kanë rrogën 480 mijë lekë; mësuesit e arsimit bazë nëntëvjeçar kishin një rrogë prej 220 mijë lekë, sot e kanë rrogën 517 mijë lekë; mësuesit e shkollave të mesme kishin një rrogë 260 mijë lekë, sot e kanë 560 mijë lekë. Në asnjë sektor tjetër, ne nuk kemi rritur rrogat në këto nivele dhe këto janë plotësisht të merituara nga ju. Unë ju garantoj se kjo rritje do të vazhdojë për sa kohë ne do të jemi në pushtet e do të votohemi nga shqiptarët. Për ne, shkolla është jetike, vendimtare në ndërtimin e një Shqipërie të bazuar mbi dijen dhe në këtë proces, mësuesi është lideri, udhëheqësi, arkitekti i tij procesi. Ndaj, ne do të përqendrohemi aty, me të gjithë potencialin tonë,” tha Berisha.

“Kam qenë në opozitë dhe kam deklaruar se do të rris rrogat. Jam në qeveri dhe kam mbajtur premtim. Sërish do ta mbaj. Unë besoj se investimi në kapitalin njerëzor duhet të jetë investimi i parë i çdo qeverie dhe çdo shteti. Një zonjë më parë, me shumë të drejtë u shpreh se pak vite më parë, ato e kishim të vështirë të uleshim me miqtë për një drekë. Nga ana tjetër, pak vite më parë nga arsimi ikte kush të mundte. Tani nuk na ikën më njeri. Mësueset e mësuesit, natyrisht, meritojnë shumë më tepër, por tani kanë përkushtim dhe mendjen të qëndrojnë në misionin e tyre, të punojnë e zhvillojnë shkollën. Kështu që në mënyrën më të padiskutueshme, sa herë që të më votojnë shqiptarët, unë do të rris rrogat e pensionet. Një gjë duhet ta dinë qytetarët shqiptarë se në rritjet e rrogave e pensioneve të tyre, asnjë qindarkë e vetme nuk është borxh i këtij shteti ndaj kujt, është e tëra para e buxheti, e taksave të shqiptarëve. Po, janë rritur rrogat e mësuesve të nxënësve tanë dhe ato janë taksat e prindërve të tyre. Kjo në sajë të performancës ekonomike. Ne nuk tërhiqemi nga ky koncept,” vijoi kryeministri.

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.