Berisha del kundër SHBA-ve

Në një bashkëbisedim me gazetarët në qytetin e Elbasanit, kryeministri Berisha i dha një përgjigje të ashpër ambasadorit të SHBA-ve, Aleksandër Arvizu. Ai tha se ka mbështetjen e qeverisë britanike, gjermane, të SHBA-ve, etj, ndërsa duke iu referuar deklarimeve të ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, Berisha u shpreh se, “ligjet e Shqipërisë janë shumë të mira, unë dëgjoj me shumë respekt mendimet e miqve, por detyra ime është të zbatoj ligjin. Shqipëria ka institucione demokratike. Janë larg të qenit të përsosura, por nuk ka zëvendësim për to.
Kur flasin për Gjykatën Kushtetuese, Berisha tha se ata nuk e respektojnë së pari veten e tyre.
"Kur fillojnë të bëjnë gjykatësin kushtetues, gjykatësin e lartë apo të faktit, unë them se nuk respektojnë veten e tyre. Kushdoqoftë! Ky është shtet i bazuar në ligje. Askush nuk ka mandat të interpretojë ligjet e një vendi tjetër, apo të marrë atributet”- akuzoi Berisha.
Ndërsa vizitën e pritshme të Jonathan Moore, Berisha e interpretoi si, “vizita vjen si dëshmi e vlerësimit të interesit për një Shqipëri që ecën drejt zhvillimit të integrimit.”
Arvizu takim me kreun e Gjykatës Kushtetuese
Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu para dy ditësh zhvilloi një takim me kreun e Gjykatës Kushtetues, Bashkim Dedja. Në prononcimin për mediet, Arvizu u shpreh se, SHBA-të mbështesin një sistem drejtësie të pavarur dhe profesional. “Dua të shpreh vlerësimin tim për rolin që luan dhe punën që bëjnë për drejtësinë. Forca e çdo demokracie mbështetet në ndarjen e pushteteve”,- tha Arvizu.
Për KQZ-në, Arvizu tha, "kemi qenë shumë të qartë për pozicionin e SHBA për zgjedhjet dhe KQZ-në. Kam dëgjuar që do të zhvillohet një sesion të hënë dhe është një mundësi e mirë qoftë për tre ligjet qoftë për rikonstituimin e KQZ shpresojmë që të dyja palët të mund të përfitojnë nga avantazhi i kësaj mundësie",- tha ambasadori.
SHEKULLI
Add new comment