Berisha-Blushit: Ku e ke teserën e PD? The se do ta merrje nëse ndërtoja tunelin!

Postuar në 17 Maj, 2013 15:04

 

TIRANË Edhe pse Shqipëria është larg plotësimit të kushteve për heqjen e vizave me SHBA-në, kryeministri Berisha deklaroi dje nga Elbasani se kjo mazhorancë do të bëjë çdo përpjekje me qëllim arritjen e këtij synimi. Në këtë mënyrë, Kryeministri iu rikthye premtimit të dhënë tri ditë më parë nga qyteti i Durrësit, për heqjen e vizave me SHBA-në, duke theksuar se ky vendim do të jetë i merituar. “Së bashku, më 23 qershor do firmosim për integrimin, jo vetëm për statusin, por dhe hapjen e negociatave. Do firmosim për të merituar me reforma liberalizimin e vizave me fuqinë më të madhe në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lëvizja jonë e lirë në hapësirat e vendit mik, është një ëndërr që do realizohet gjatë katër viteve që vijnë… Askujt nuk i kërkojmë atë që nuk meritojmë, por do plotësojmë çdo kusht, çdo kërkesë, siç plotësuam për Bashkimin Europian”,- tha dje Berisha. Kryeministri iu ktheu përgjigje edhe zërave të shumtë nga ana e PS-së dhe jo vetëm se një premtim i tillë është thjesht për efekt elektoral. “Ata që më tregojnë mua, atyre u them kontrolloni pak grupin parlamentar se sa të refuzuar keni për viza në atë vend…”, – shtoi ai.

“Tesera” e Blushit

Deklarata për vizat nuk ishte e para e këtij lloji e lëshuar dje nga kreu i ekzekutivit. Duke prekur një tjetër çështje po aq të rëndësishme, si ndërtimi i tunelit Tiranë-Elbasan,  Berisha ka shpotitur Ben Blushin, i cili kryeson listën e deputetëve të PS-së në qarkun Elbasan. “E kishit ju dje këtu fatorinon e autobusit, e kishit. Përshëndeteni zotin Blushi dhe pyeteni ku e ke teserën e PD-së? Pse, kur morëm vendimin për ndërtimin e tunelit, Ben Blushi deklaroi publikisht se nëse Berisha ndërton tunelin, unë do marr teserën e PD-së. Kurse tani as që guxon t’i afrohet, struket si fatorino në autobus me shefin e tij. Ata në autobus, ne përfundojmë autostradën. Ata në autobus, ne do ndërtojmë By-Passin… ”- tha ai.

Rritja e pagave dhe pensioneve

Katër vite më parë, Berisha premtoi hapjen e 160 mijë vendeve të punës, ndërsa dje gjatë hapjes së fushatës zyrtare të qarkut Elbasan, Kryeministri premtoi 250 mijë vende pune. Ai garantoi gjithashtu se në katër vitet që vijnë do të ketë sërish rritje pagash dhe pensionesh. “…Ne do të vazhdojmë rritjen e rrogave dhe pensioneve. Mësuese dhe mësues të Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë, zotimi im solemn në këtë shesh është se në mandatin e ardhshëm ju nuk do të keni rrogë më të vogël se 700 dollarë”, – tha Berisha. Gjatë tubimit të djeshëm, kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë në këtë qark, Arben Imami, deklaroi ndër të tjera se Rama bëri përpjekje për të vendosur taksë ndaj qytetarëve për hyrjen në Tiranë. Ndërsa Eduard Selami, i cili garon i dyti në listë për këtë qark, tha se ka ardhur koha për t’i dhënë fund politikës destruktive.

 

 

 

 

 

QARKU ELBASAN

 

Arben Imami

Eduard Selami

Ardian Turku

Luçiano Boçi

Dashnor Sula

Arbjola Halimi

Aurel Bylykbashi

Irena Progni

Rrahim Çota

Mati Çela

Zamir Muzhaqi

Medi Shehu

Hysen Moli

Muharrem Kajolli

Bujar Cakani

 

1. “Ne do të vazhdojmë rritjen e rrogave dhe pensioneve. Mësuese dhe mësues të Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë, zotimi im solemn në këtë shesh është se, në mandatin e ardhshëm ju nuk do të keni rrogë më të vogël se 700 dollarë”

 

 

2. “Përshëndeteni zotin Blushi dhe pyeteni ku e ke teserën e PD-së? Pse, kur morëm vendimin për ndërtimin e tunelit, Ben Blushi deklaroi publikisht se nëse Berisha ndërton tunelin, unë do marr teserën e PD-së”

 

 

3. Arben Imami deklaroi ndër të tjera se Rama bëri përpjekje për të vendosur taksë ndaj qytetarëve për hyrjen në Tiranë. Ndërsa Eduard Selami, i cili garon i dyti në listë për këtë qark, tha se ka ardhur koha për t’i dhënë fund politikës destruktive

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.